2025, rekord për koston e lartë të shërbimit të borxhit, 1.7 mld euro interesa dhe principal


Viti 2025 do të thyejë rekordin historik për të gjithë periudhën e tranzicionit dhe së paku deri në 2053 kur janë zhvilluar projeksionet e Ministrisë së Financave për koston e lartë e lartë të shërbimit të borxhit. Sipas treguesve fiskalë të qeverisë, shërbimi i borxhit (principali i borxhit të jashtëm + interesat e brendshme dhe të jashtme) arrijnë këtë vit në 171 miliardë lekë  (1.7 miliardë euro).

Kjo vlerë është  77% më e lartë se shpenzimet e shërbimit të borxhit më 2024 dhe gjithashtu më e larta e regjistruar ndonjëherë. Pas pandemisë, raporti i borxhit me Prodhimin e Brendshëm Bruto ka shënuar ulje, por vlera është në rritje.

Në fund të vitit të kaluar, detyrimet e publike arritën në 1,364,981 milionë lekë, ose 54.7% e PBB-së. Në raport me PBB-në, borxhi ra me 2.8 pikë për qind me 2024 në krahasim me 2023, ndërsa në vlerë u rrit me 2,2 miliardë lekë (22 milionë euro).

Sipas një parashikimi afatgjatë të Ministrisë së Financave, kostot e shërbimit të borxhit kulmojnë këtë vit dhe do të vijnë në ulje deri më 2053. Pritshmëritë janë që në vitin 2030, kostot e shërbimit të borxhit të jenë vetëm 69 miliardë lekë dhe kjo shumë pritet të ulet më tej në vitin 2034 në vetëm 24 miliardë lekë dhe në vitin 2053, me 16 miliardë lekë.

Shërbimi i borxhit zë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve buxhetore. Vitin e kaluar, kostot e shërbimit të borxhit ishin 100.8 miliardë lekë ose 4,3% të PBB-së duke shënuar një rekord historik.

Këtë vit shpenzimet për shërbimin e borxhit llogariten sa 22 % e të ardhurave buxhetore. Rënia e borxhit publik si në vlerë dhe raport me PBB, çliron më shumë fonde në buxhet për shërbime të tjera publike, të tilla si investime, rritje të pagave dhe më shumë mundësi për rishpërndarë te qytetarët të ardhurat nga tatimet dhe taksat.

Qeveria e shqiptare ka ndjekur një taktikë vitet e fundit duke projektuar një deficit të lartë në buxhet, i cili nuk ka mundur të realizohet sipas programit, duke ndikuar në uljen e borxhit në raport me PBB-në përtej parashikimeve.

Ecuria e treguesit zyrtar të borxhit është në ulje, por një seri detyrimesh të fshehura po rriten vit pas viti. Në fund të vitit 2024 detyrimet e buxhetit për kontrata pune dhe shërbimi me privatet arritën një vlerë prej 5 miliardë lekësh, por gjithashtu një seri borxhesh janë krijuar nga kompanitë me pronësi publike.

Borxhet e enteve publike për faturat e pashlyera të energjisë po vjen në rritje vit pas viti, teksa Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vënë në dukje disa here se borxhet e fshehura janë më të larta se sa deklarohen.

VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.