4 vrasje në tre ditë në Kosovë, Kurti: Duhet veprim i menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror


Kosova është përballur me një valë vrasjesh tronditëse gjatë ditëve të fundit, ku brenda vetëm tre ditësh kanë humbur jetën katër persona.

Kjo situatë ka sjellë reagimin e kryeministrit Albin Kurti, i cili në mbledhjen e sotme të Qeverisë kërkoi angazhim maksimal nga organet e ligjit për zbardhjen e ngjarjeve dhe parandalimin e krimeve të tilla në të ardhmen.

Ai theksoi se vrasja nuk është vetëm humbja e një jete, por edhe një goditje për shoqërinë dhe shprehu shqetësimin e tij që këto ngjarje ndodhën pikërisht në javën kur Kosova përkujton 26-vjetorin e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë.

Kryeministri i Kosovës bëri thirrje për një hetim të thelluar të shkaqeve dhe rrethanave që çuan në këto krime, duke kërkuar që drejtësia të vihet në vend dhe të parandalohen raste të ngjashme në të ardhmen.

“Dua të ndaj brengën e njëjtë me të gjithë ju në lidhje me katër vrasjet e regjistruara në tri ditët e fundit.

Ftoj organet e rendit, hetuesisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasëve në mënyrë që edhe të vihet edhe drejtësi edhe të parandalohen akte të tilla. Vrasja është akti më i rëndë njeriu-njeriut, ajo asnjëherë nuk guxon të normalizohet.

Vrasja është jo vetëm vrasje e njeriut, por edhe e shoqërisë në të cilën ai bënte pjesë, pra shoqërisë sonë.

Gjithë vendi është tronditur dhe lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalohet, ndalet, dënohet.

Duhet natyrisht analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm institucional, reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit.

Kjo është thirrje për të gjithë ne. Edhe për faktin që këto vrasje ndodhën pikërisht në javën kur shënojmë 26-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë për ta ndalë gjenocidin e Serbisë dhe përkujtojmë masakrat e njëpasnjëshme të aparatit shtetëror të Serbisë që synonte shfarosjen e popullit shqiptar”, tha ai.