Franca dhe Britania e Madhe janë tani krerët e linjës së fortë në Evropë, sipas kryeministrit çek, pavarësisht daljes së Britanisë nga BE-ja.
Petr Fiala i tha Financial Times se ndryshimi në udhëheqjen evropiane ishte në përgjigje të kërcënimit të vijueshëm nga Rusia dhe presionit nga presidenti i SHBA-ve Donald Trump për të rritur shpenzimet ushtarake. Kryeqytetet evropiane janë shqetësuar nga qëndrimi i administratës Trump ndaj aleatëve tradicionalë dhe hapat e tij ndaj Moskës, të cilën Uashingtoni nuk e përshkruan më si agresore në luftën e Ukrainës, shkruan FT.
“Kjo është koha kur shtetet më të forta duhet të luajnë rolin më të madh, ato me fuqi konkrete, që janë Franca dhe Britania e Madhe, fuqitë bërthamore evropiane”, tha Fiala.
Franca dhe Britania e Madhe po udhëheqin diskutimet për një “koalicion të të gatshëmve” për të ofruar njëfarë sigurie pas luftës në Ukrainë nëse Trump arrin të ndërmjetësojë një armëpushim me Rusinë.
Kryeministri çek vlerësoi mbështetjen e fortë të kreut britanik Sir Keir Starmer për Ukrainën dhe tha se ai e sheh përfshirjen më të thellë të Mbretërisë së Bashkuar në sigurinë evropiane si një mundësi për të punuar më afër së bashku, sesa një mjet për Britaninë për t’u ribashkuar në BE.
Fiala tha se ai kishte paralajmëruar prej kohësh kolegët e tij evropianë “kundër ndëshkimit të Britanisë së Madhe” për vendimin e saj për t’u larguar nga blloku.