Hekurudha Tiranë-Durrës dhe zgjatimi në Rinas ankimohen sërish pranë BERZH-it


Telashe të tjera janë shfaqur për hekurudhën Tiranë-Durrës dhe zgjatimin e saj në Rinas ku këtë herë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka kërkuar që një ankesë e bërë nga bizneset në zonën e Domjes të marrë zgjidhje.

Në një dokument të bërë publik nga vetë banka sipas një ankese të dorëzuar në nëntor 2024 dhe që aktualisht është në fazë vlerësimi, nënvizohet se për subjektet ankimuese janë shkaktuar dëme financiare.

“Më 13 nëntor 2024, dy biznese paraqitën një ankesë në IPAM në lidhje me Projektin e Hekurudhave Shqiptare të BERZH-it (OP ID 48466). Kërkuesit pretendojnë se janë dëmtuar bizneset e tyre për shkak të ndërtimit të një rruge hyrëse paralele me hekurudhën në Domje.

Ata ndanë se për ndërtimin e rrugës hyrëse do të duhej të hiqnin dorë nga një pjesë e tokës së tyre private e cila do të ndikonte në funksionimin e bizneseve të tyre dhe do të çonte në humbje të të ardhurave. Ata kërkojnë një shtrirje alternative për rrugën hyrëse për të shmangur dëmtimin e bizneseve të tyre. Kërkuesit pohojnë gjithashtu mungesën e konsultimeve publike dhe transparencës në vendimmarrje” thuhet në përmbledhjen e kërkesës të bërë në faqen e BERZH.

Më herët edhe një tjetër kërkesë u bë për po të njëjtin projekt lidhur me një rrugë aksesi. Projekti për hekurudhën Tiranë-Durrës është shoqëruar me vonesa të shuma sidomos lidhur me shpronësimet të cilat kanë marrë një kohë të gjatë. Punimet për këtë projekt kanë filluar në 2021-in dhe vijojnë akoma sa i takon ndërtimit të trasesë ndërkohë që pak kohë më parë u prokurua ndërtimi i stacioneve.

Ky projekt fillimisht u financua me një kredi rreth 70 milionë euro nga BERZH ndërkohë që vetëm në fillim të këtij viti qeveria kërkoi një shtesë me 40 milionë euro të kësaj kredie për të mbyllur punimet e saj. Sipas argumentit të qeverisë për këtë shtesë shkak ishte bërë shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit të cilët e kanë rritur dukshëm faturën ndërkohë që një pjesë e kësaj shtese do të shkojë për ndërtimin e stacioneve.

Hekurudha Tiranë-Durrës dhe shtesa në Rinas kanë një gjatësi 39 kilometra. Trenat në këtë hekurudhë do të jenë elektrike dhe do të përshkojnë distancën për 22 minuta. Në total do të jenë 11 stacione përgjatë gjithë linjës./ N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor