Arrestohet 41-vjeçari në kërkim, i dënuar me 5 vite burg për drogë


Policia Rrugore e Tiranës ka arrestuar Mariglen Abedinin, 41 vjeç, i shpallur në kërkim dhe i dënuar me 5 vite burg nga Gjykata e Apelit për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Abedini u ndalua gjatë një kontrolli rutinë, teksa drejtonte një automjet tip “Volkswagen”. Pas verifikimeve, rezultoi se ai ishte i kërkuar dhe u vu menjëherë në pranga nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Njoftimi:

Tiranë

Policia Rrugore ndalon 1 shtetas të shpallur në kërkim, të dënuar me 5 vite burgim nga Gjykata e Apelit, për prodhim/shitje narkotikësh.

Në vijim të monitorimit dhe verifikimeve në të gjitha akset rrugore të kryeqytetit, me qëllim konstatimin e shkeljeve rrugore dhe ndëshkimin e autorëve të tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë kanë ndaluar automjetin tip “Volkswagen” që drejtohej nga shtetasi Mariglen Abedini, 41 vjeç.

Pas verifikimeve ka rezultuar se ai ishte aktualisht në kërkim, sepse Gjykata e Apelit e kishte dënuar me 5 vite burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë vunë në pranga 41-vjeçarin, me qëllim ekzekutimin e këtij vendimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.