Kosova refuzon vizitën e ministrit serb të shëndetësisë si masë reciproke


Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) ka refuzuar kërkesën për vizitën e ministrit serb të Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar, në Kosovë. Ky vendim vjen si përgjigje ndaj refuzimit nga autoritetet serbe të vizitës së ministrit të Kulturës të Kosovës, Hajrulla Çeku, në Preshevë.

Sipas MPJD-së, kërkesa për vizitën e ministrit Çeku u dorëzua përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi më 20 mars 2025, por nuk mori asnjë përgjigje nga autoritetet serbe deri më 26 mars, kur ishte planifikuar vizita.

“Ndërkohë, pala serbe parashtroi kërkesën për vizitën e ministrit Llonçar më 24 mars, katër ditë pas kërkesës sonë, dhe kërkoi që ajo të merrte përparësi ndaj kërkesës sonë,” deklaroi Qëndresa Fazliu nga Zyra për Komunikim e MPJD-së.

MPJD e akuzoi Serbinë për “qasje destruktive” dhe përpjekje për të imponuar një trajtim të njëanshëm të vizitave zyrtare. “Qasja e Kosovës do të mbetet e bazuar në reciprocitet dhe duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e vendit,” theksoi Fazliu.

Më herët gjatë ditës, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, njoftoi se për herë të dytë i ishte refuzuar vizita ministrit Çeku në Preshevë, një nga tre komunat shqiptare në jug të Serbisë. Ajo akuzoi autoritetet serbe se, ndonëse paraqiten si pro-evropiane, veprimet e tyre tregojnë të kundërtën dhe përfaqësojnë një politikë nacionaliste.

Nga ana tjetër, ministri serb i Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar, konfirmoi se autoritetet kosovare ia kishin ndaluar hyrjen në Graçanicë dhe Mitrovicën e Veriut, ku synonte të takohej me punonjës shëndetësorë në institucionet serbe, të cilat Kosova i konsideron ilegale. Ai akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Çështja e vizitave zyrtare midis Kosovës dhe Serbisë rregullohet nga një marrëveshje e arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, sipas së cilës vizitat duhet të paralajmërohen përmes zyrtarëve ndërlidhës dhe të autorizohen nga autoritetet e vendeve përkatëse. Serbia ende nuk ka dhënë një sqarim për refuzimin e vizitës së ministrit Çeku.