LaCivita në bashkëpunim të ngushtë me opozitën, Mediu: Koalicioni opozitar do fitojë


Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka konfirmuar se strategu amerikan Criss LaCivita dhe ekipi i tij janë të përfshirë në fushatën e opozitës për zgjedhjet e ardhshme. Gjatë një interviste në “Çim Peka LIVE”, Mediu bëri të ditur se ata kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me ish-kryeministrin Sali Berisha, si dhe me strukturat e Partisë Demokratike dhe të koalicionit opozitar.

Nga fillimi i prillit, ekipi i LaCivita do të jetë i pranishëm deri në përfundim të zgjedhjeve. Edhe pse ai nuk do të qëndrojë gjatë gjithë kohës, do të mbajë kontakte të vazhdueshme me opozitën dhe do të ketë edhe një prani fizike në fushatë.

Ky bashkëpunim konsiderohet si një marrëdhënie e përcaktuar, ku ekipi i LaCivita do të mbështesë opozitën në konsulencën për fushatën elektorale. Sipas Mediut, janë realizuar sondazhe për situatën politike në Shqipëri dhe do të zhvillohen të tjera, ndërsa kompania e angazhuar është e njëjta që ka kryer sondazhet për fushatën e Donald Trump në SHBA.

Analiza e këtyre sondazheve tregon se opozita shqiptare ka shanse për të fituar, ndërsa për këtë është e nevojshme një punë e organizuar mirë. Përveç mbështetjes nga ekipi i LaCivita, opozita do të jetë e angazhuar në të gjitha nivelet e organizimit, si në qendër ashtu edhe në nivel kandidatësh, për të përcjellë mesazhin e saj te qytetarët.

Mediu:

Dua të konfirmoj që jo vetëm është Criss LaCivita i përfshirë në fushatën e opozitës, por edhe i gjithë ekipi i LaCivita, të cilët kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm jo vetëm me zotin Berisha, por edhe me strukturat e Partisë Demokratike, po edhe të koalicionit.

Dhe që në fillim të muajit prill do të jenë atje deri në fund të zgjedhjeve. Criss nuk do të jetë gjithë kohës, por do të jenë natyrisht në kontakt dhe me prezencën e tij fizike deri në mbyllje të fushatës.

Kjo është një marrëdhënie e përcaktuar. Unë dje kam qenë me të dhe me një pjesë të ekipit të tij, një ekip që do të jenë gjithmonë në mbështetje të opozitës, në konsulencë për sa i përket fushatës elektorale.

Janë bërë polls për Shqipërinë dhe do bëhen.
Janë bërë polle nga kompania që ka bërë edhe pollet për Donald Trump për zgjedhjet në Amerikë. Kemi bërë një analizë të polleve.

Sipas këtyre polleve, opozita shqiptare ka shanse për të fituar. Unë nuk besoj se ata vijnë për të humbur. E para, nuk e kanë njohur humbjen, por nga ana tjetër, unë besoj që ka nevojë për punë të organizuar mirë. Nuk është vetëm çfarë mendon Criss LaCivita dhe ekipi, por i gjithë ekipi i opozitës do të jetë i angazhuar në të gjitha nivelet e organizimit qendror dhe të kandidatëve për të përcjellë mesazhin kryesor dhe komunikimin e duhur me qytetarët.