Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka njoftuar një paketë të re ndihme ushtarake prej 2 miliardë eurosh për Ukrainën, pak para samitit që synon forcimin e sigurisë së këtij vendi, sipas France 24. Gjatë një konference në Paris me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, Macron i bëri thirrje Rusisë të pranojë një armëpushim 30-ditor “pa kushte paraprake”, duke e akuzuar Moskën se vazhdon të tregojë një “dëshirë për luftë”.
Në takimin e së enjtes, Macron do të mirëpresë liderët evropianë për të diskutuar garancitë e sigurisë për Ukrainën pas një marrëveshjeje të mundshme armëpushimi me Rusinë. Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se SHBA po shqyrton kërkesat e Rusisë për një marrëveshje, por ka paralajmëruar se procesi i paqes do të kërkojë kohë.
Macron ka theksuar se ndihma e re ushtarake do të dërgohet shpejt nga rezervat e Francës, ndërsa ka deklaruar se Rusia nuk ka të drejtë të diktojë kushtet e mbështetjes perëndimore për Ukrainën.
Nga ana tjetër, Zelensky ka kërkuar vendime të forta nga samiti i së enjtes, duke nënvizuar se tani “nuk është momenti për të ulur presionin ndaj Rusisë apo për të dobësuar unitetin ndërkombëtar”.