Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, zhvilloi një takim të rëndësishëm në Washington DC me kryetarin e Komitetit për Europën, kongresmenin Keith Self, ku u diskutua për situatën e sigurisë në Ballkan, duke përfshirë zhvillimet në Serbi, Bosnjë dhe Kosovë.
Në fokus të bisedimeve ishte gjithashtu procesi i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Shqipëri, ku Mediu theksoi detyrimin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa u ndikuar nga krimi dhe korrupsioni, blerja e votave, intimidimi i votuesve dhe përdorimi i administratës shtetërore për qëllime elektorale nga qeveria socialiste.
Mediu bën me dije se Komiteti për Europën do të diskutojë për sigurinë në Ballkan dhe rolin e NATO-s, duke përfshirë edhe standardet demokratike që duhet të respektohen në këtë rajon.