Përfaqësues amerikanë të OPDATE janë rikthyer sërish në Prokurorinë e Posaçme SPAK dhe në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Burime bëjnë të ditur se përfaqësuesit e SHBA-ve janë parë në ambientet e dy institucioneve të drejtësisë, përcjell Balkanweb.
Ekspertët amerikanë ishin larguar nga Shqipëria në fillim të muajit shkurt, pas një vendimi të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të pezulluar disa fonde për agjenci ndërkombëtare, përfshirë USAID.
Megjithatë, ata janë rikthyer tani për të vazhduar mbështetjen dhe asistencën e nevojshme për SPAK, një strukturë e krijuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.
Që nga krijimi, SPAK ka përfituar mbështetje të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë kontribuar nëpërmjet disa misioneve, si OPDAT (Oficeri i Ndihmës për Trajnimin dhe Asistencën në Prokurori), ICITAP (Programi Ndërkombëtar i Trajnimit për Çështje të Krimit), DEA (Agjencia për Luftën kundër Drogës) dhe FBI (Byroja Federale e Hetimeve).
Kjo mbështetje ka qenë e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të institucioneve shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.