Të shtunën më 5 prill, në Prishtinë do të mbahet protestë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Aktivistë dhe qytetarë do të mblidhen në sheshin “Skënderbe”, duke filluar nga ora 15:00, për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj rritjes së tarifave prej 15% të energjisë elektrike. Kundër rritje së çmimit kanë dalë edhe bizneset dhe njohësit ekonomisë.
Energjia elektrike do të shtrenjtohet nga 1 prilli për 15% dhe këtë e ka bërë punë të kryer kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike, Ymer Zejnullahu gjatë një takimi me përfaqësues të bizneseve.
Ai ka treguar se me këtë mënyrë “reflektohet” një pjesë e importit të energjisë elektrike që tha se është bërë vitin e kaluar, por edhe “nevojat për vitin e ardhshëm”.
“ZRRE ka parë një raport. Ai është një vlerësim profesional i stafit të ZRRE-së që shihet mesatarisht – ajo bile thotë që tarifa është mesatare. Mund të ketë kategori të tjera të konsumatorëve që të kenë barrën më të mëdha të kësaj.
Kjo është nevoja për të reflektuar një pjesë të importit që është importuar në vitin e kaluar dhe nevojat për vitin e ardhshëm.
Kryesisht, dy kompetente kryesore janë: çmimet e importit dhe kostot e rezervave. Ndoshta disa e kanë keqkuptuar se çka janë shërbimet ndihmëse.
Shërbime ndihmëse janë ai gjeneratori që qëndron në gatishmëri për të na furnizuar kurdo që Kosova B ose Kosova A del nga sistemi, me e zëvendësu atë energji, dhe ajo është kosto e shërbimeve ndihmëse, që është rreth mbi 40 milionë euro, vetëm për arsye që mos të kemi ndërprerje kurdo që të del jashtë sistemit”.
Zejnullahu tha se “shpresojnë” që të ketë çmime më të favorshme të rrymës gjatë viteve të ardhshme.
“Prandaj mos e konsideroni që ZRRE-ja po ka dëshirë me i rritë çmimet e energjisë elektrike, por këto janë mundësitë në treg.
Shpresojmë që të kemi çmime më të favorshme në vitet e ardhshme, dhe shpresojmë që të kemi kapacitete gjeneruese vendore, e të mos kemi nevojë ta importojmë atë sasi të energjisë dhe shpresojmë që këto biznese që janë bashkërisht me neve do të shikojnë mundësi për të investuar në kapacitete shtesë që do të na ndihmojnë, edhe këto vetë si biznese, por edhe neve si qytetarë, që të kemi çmime sa më të favorshme për konsumatorin tonë”.
ZRRE do të pranojë komente dhe sugjerime nga konsumatorët deri më 28 prill, para se ta marrë vendimin përfundimtar, që gjithsesi dihet tashmë.
Shtrenjtimi i tarifave të energjisë elektrike prej 15 nuk është pritur fare nga qytetarët të cilët e kritikuan ashpër Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.
Madje, në shenjë pakënaqësie, më 5 prill në Prishtinë do të protestohet.
Protesta do të organizohet nga grupi “Asnjë cent më shumë”, i formuar nga Luan Hasanaj.
”Hapi i parë do jetë protesta, mirëpo jo vetëm protesta ka edhe diskutime tjera, jemi duke menduar që të nisim një fushatë që do iu bëjë thirrje qytetarëve të Kosovës që të bojkotohet pagesa e energjisë elektrike nëse veç ky vendim merret”, ka thënë Luan Hasanaj, Iniciues i peticionit.
Hasanaj thotë që përveç pagesës shtesë së energjisë elektrike kjo ka efekt zinxhiror të pashmangshëm.
”Kjo do pasohet me rritje të çmimeve pothuajse në çdo sektorë qoftë në prodhimtari, qoftë në industri, qoftë në rritjen e çmimeve nëpër markete, qytetarët do të ndikohen edhe më shumë e në anën tjetër nuk kemi veprime të cilat do balancojnë këtë rritje siç janë rritja e pagave”.
Pas paralajmërimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, ka pasur reagime të shumta, duke kundërshtuar rritjen e çmimit.
Instituti Atlas ka dhënë një rekomandim për Qeverinë e Kosovës, se si do të mund të ulte çmimin e rrymës gjatë viteve 2025 dhe 2026.
“Nëse ZRRE vendos të rrisë të hyrat maksimale të lejuara me 15%, Instituti Atlas kërkon nga Qeveria e Kosovës të heqë TVSh-në prej 18 për qind në faturat e energjisë elektrike dhe të zbatojë opinionin e Avokatit të Popullit dhe gjykatave të Kosovës, duke i kthyer konsumatorëve 132.5 milionë euro të paguara padrejtësisht për konsumimin e energjisë në veri. Zbatimi i këtyre masave do të ulte çmimin e rrymës me 36% gjatë viteve 2025 dhe 2026”, thuhet në postimin e Institutit Atlas./Monitor