Rusia kërkon heqjen e sanksioneve para armëpushimit detar me Ukrainën


Rusia ka thënë se disa sanksione perëndimore duhet të hiqen përpara se të fillojë një armëpushim detar me Ukrainën.

Brenda orëve pasi SHBA-ja njoftoi se dy palët kishin rënë dakord të ndalonin sulmet në Detin e Zi në marrëveshje të veçanta, Kremlini tha se kjo do ndodhte vetëm pasi të hiqeshin sanksionet ndaj një numri bankash ruse.

Kërkesat përfshijnë heqjen e sanksioneve ndaj bankës shtetërore bujqësore Rosselkhozbank dhe rivendosjen e qasjes së firmave në sistemin ndërkombëtar të pagesave Sëift.

Gjatë natës, Moska nisi një sulm me dron në qytetin port të Mykolaiv, thanë zyrtarët ukrainas, me presidentin Zelensky që tha se sulmet ishin “një sinjal i qartë” se Rusia nuk dëshiron paqe.

Pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, BE-ja dhe aleatët e saj pezulluan qasjen në sistemin Sëift për një numër institucionesh financiare ruse, shkruan BBC.

Qëllimi ishte që kompanitë ruse të humbnin qasjen në transaksionet e menjëhershme të ofruara nga Sëift, duke ndërprerë pagesat për eksportet e saj të vlefshme të energjisë dhe bujqësore.

Të martën, presidenti amerikan Donald Trump tha se Rusia mund të përpiqet të vonojë përfundimin e luftës.

Armëpushimi detar u njoftua nga SHBA pas tre ditësh bisedime paqeje në Arabinë Saudite.

Megjithatë, Kievi dhe Moska më vonë lëshuan deklarata të kundërta mbi hollësitë e marrëveshjes, duke përfshirë kur dhe si do të fillonte.

Zelensky tha se ai besonte se marrëveshja nuk kërkonte lehtësimin e sanksioneve për të hyrë në fuqi dhe do hynte në fuqi menjëherë.