Sali Berisha uron Natën e Kadrit në Kavajë: Nderim për besimtarët dhe kujtim për 26 marsin 1990


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë këtë të mërkurë në një iftar të organizuar nga kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, me rastin e Natës së Kadrit. Ky iftar u shtrua për besimtarët myslimanë në një prej netëve më të rëndësishme të Ramazanit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha vlerësoi domethënien shpirtërore të kësaj nate të shenjtë dhe shprehu urimet e tij për agjërimin dhe sakrificat e besimtarëve, duke kërkuar që Zoti t’i pranojë ato dhe t’u sjellë fat të bardhë.

Kreu i PD rikujtoi gjithashtu një tjetër moment historik për Kavajën – 26 marsin 1990, kur qytetarët e saj u ngritën kundër diktaturës komuniste. Ai e cilësoi këtë ngjarje si një akt trimërie epike që tundoi themelet e regjimit të asokohe, duke e kthyer Kavajën në simbol të lirisë dhe rezistencës.

“Nderimi më i madh për qytetarët liridashës të Kavajës, për burrat dhe gratë e këtij qyteti që me guximin dhe trimërinë e tyre u bënë shembull i qëndresës për liri dhe dinjitet,” u shpreh Berisha.

Duke përmbyllur fjalën e tij, ai theksoi lidhjen e pandashme mes besimit te Zoti dhe virtyteve të larta shpirtërore, duke shprehur shpresën që në Natën e ardhshme të Kadrit, demokratët ta festojnë në kushte krejt të tjera.