Serbia reagon ndaj njohjes së Kosovës nga Kenia, paralajmëron masa diplomatike


Pas vendimit të Kenias për të njohur Kosovën si shtet të pavarur, Serbia e ka cilësuar këtë veprim si një “akt armiqësor” dhe duke paralajmëruar marrjen e “të gjitha masave të nevojshme diplomatike” ndaj tij.

Ministria e Jashtme e Serbisë ka deklaruar se njohja e Kosovës nga Kenia përbën “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare” dhe “cenim të drejtpërdrejtë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Sipas Beogradit zyrtar, ky vendim bie ndesh edhe me Kartën e OKB-së dhe minon përpjekjet për dialog, stabilitet rajonal dhe respektimin e rendit juridik ndërkombëtar.

Serbia ka vënë në dukje gjithashtu se Kenia i është referuar vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë referencë si “të pabazuar”.

Në reagimin e saj, Serbia ka theksuar se ky hap do të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.

Duke përmendur zhvillimet e fundit në lidhje me njohjen e Kosovës, Beogradi pretendon se në tetë vitet e fundit “28 shtete kanë tërhequr ose pezulluar njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ndërsa vetëm “dy shtete të reja” e kanë njohur.

“Shumica e qartë e bashkësisë ndërkombëtare, ligji dhe drejtësia janë në anën e Serbisë. Serbia mbetet e përkushtuar për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial me të gjitha mjetet diplomatike dhe juridike në dispozicion”, përfundon reagimi i Serbisë.