Takim me të rinjtë në Shkodër, Rama prezanton “skuadrën e re për Shqipërinë në BE”


Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë dhe studentët në Shkodër, ku diskutoi mbi rëndësinë e orientimit drejt teknologjisë, sportit, artit dhe zejeve, duke theksuar se e ardhmja nuk qëndron vetëm te punësimi në sektorin shtetëror. Ai njoftoi për krijimin e një strategjie të re për rininë, e cila do të shërbejë si udhërrëfyes deri në vitin 2029, duke synuar zhvillimin e aftësive në fusha të ndryshme.

Në këtë kontekst, Rama prezantoi “skuadrën e re për Shqipërinë në BE”, një ekip i përbërë nga të rinj të angazhuar në fusha të ndryshme, të cilët do të kontribuojnë në procesin e integrimit europian të vendit. Ai theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian do të sjellë financime shtesë për Shqipërinë dhe se është thelbësore që “makineria e integrimit të mos ndalet”.

Gjatë takimit, kryeministri bëri edhe disa batuta, duke ironizuar koalicionin e opozitës dhe duke e cilësuar Kujtim Gjuzin si “lulja më e bukur e koalicionit të Berishës”. Ai theksoi se hyrja në BE sjell edhe financa ekstra, duke shtuar se “tangoja me Kujtim Gjuzin do sillte lëkundje”.