Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar pas vetëvrasjes së Donald Grekut në Bllokun e Sigurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës më 13 mars.
Në deklaratën zyrtare, Komiteti thekson se Greku kishte deklaruar që ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe kishte kërkuar trajtim mjekësor, por nuk kishte marrë ndihmën e duhur. Raporti tregon se mjeku specialist toksikolog nuk kishte përcaktuar medikamentin e nevojshëm, ndërsa mjeku i institucionit nuk e kishte konsultuar më tej.
Greku kishte kërkuar Metadon, por i ishte dhënë vetëm Xanax.
“Mjeku specialist toksikolog nuk kishte përcaktuar medikamentin që duhej të merrte, ndërsa mjeku i institucionit nuk e konsultoi më tej,” -thuhet në raportin e Komitetit.
Gjithashtu, Komiteti vë në dukje se mbikëqyrja në qeli nuk ishte kryer në intervalet e parashikuara çdo 3-5 minuta dhe butoni i ziles për komunikim me personelin nuk funksiononte.
“Nuk rezulton të jetë kontrolluar dhoma çdo 3-5 minuta, siç parashikohet nga procedurat,” thekson Komitet i Helsinkit, duke shtuar se butoni i ziles për komunikim me personelin nuk funksiononte.-thuhet në deklaratë.
Komiteti i Helsinkit kërkon që Policia e Shtetit të vlerësojë kushtet në dhomat e sigurisë dhe të hartojë protokolle specifike për trajtimin e të ndaluarve me varësi ndaj lëndëve narkotike.
Donald Greku, 46 vjeç, u arrestua për vjedhjen e disa portofolave në urbanët e Tiranës. Ai u gjet i pajetë në qelinë e tij rreth orës 01:20 të datës 13 mars, i vetëvarur me një copë rrobe të grisur nga veshjet e tij. Sipas raportimeve, ai kishte deklaruar gjatë arrestimit se ishte përdorues i lëndëve narkotike të forta.