“Vizita amerikane në Groenlandë e papranueshme” – Kyeministrja daneze


Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë “presion të papranueshëm” mbi Groenlandën, tha të martën kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen, përpara një vizite nga një delegacion i profilit të lartë amerikan në territorin gjysmë autonom danez këtë javë.

Vizita në një bazë ushtarake amerikane do përfshijë Zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, gruan e tij Usha Vance, Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz dhe Sekretarin e Energjisë Chris Wright.

Zëvendëspresidenti i SHBA-ve tha në X të martën se do e vizitojë Groenlandën të premten. Gruaja e tij ishte planifikuar të shikonte një garë me sajë të tërhequr nga qentë të premten, por ajo u anulua dhe në vend të kësaj ajo do vizitojë bazën hapësinore “Pituffik”, tha zyra e zëvendëspresidentit.

Presidenti Donald Trump përsëriti të hënën sugjerimin e tij se SHBA-të duhet të marrë nën kontroll Groenlandën, duke thënë se ishulli i madh ishte i rëndësishëm për sigurinë kombëtare të SHBA-ve. Frederiksen e ka hedhur poshtë propozimin, duke thënë se i takon popullit të Groenlandës të vendosë për të ardhmen e tij.

“Më duhet të them se është e papranueshme presioni ndaj Groenlandës dhe Danimarkës në këtë gjendje. Është presion të cilin ne do e kundërshtojmë,” u tha ajo mediave daneze DR dhe TV2.

Ushtruesi i detyrës së kreut të qeverisë së Groenlandës, Mute Egede, e ka cilësuar vizitën një “provokim”, pasi ajo përkon me bisedimet e koalicionit qeveritar dhe zgjedhjet komunale të planifikuara për javën e ardhshme.

Që nga vizita private e Donald Trump Jr në ishullin e pasur me minerale në janar, Trump ka folur vazhdimisht për marrjen e Groenlandës nga SHBA dhe u ka kërkuar groenlandezëve t’i bashkohen Shteteve të Bashkuara.

Të hënën, Trump tha se administrata e tij po punonte me “njerëz në Groenlandë” që duan që diçka të ndodhë, por nuk dha hollësi.

Kuno Fencker, një anëtar i parlamentit të Groenlandës për partinë nacionaliste Naleraq dhe që mbështet fort pavarësinë, e cila doli e dyta në zgjedhjet e përgjithshme të 11 marsit, e përshëndeti vizitën, duke thënë se ishte “një nder dhe një sinjal i fortë respekti”.

“Ata janë të mirëpritur në Groenlandë,” i tha ai Reuters, duke shtuar se nuk kishte qenë në kontakt me administratën amerikane për vizitën.

Brian Hughes, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, tha se delegacioni kishte për qëllim “të mësonte për Groenlandën, kulturën, historinë dhe njerëzit e saj”.

Frederiksen kundërshtoi nocionin e një vizite private me përfaqësues zyrtarë.

“Vizita nuk ka të bëjë me atë që ka nevojë apo dëshiron Groenlanda,” tha Frederiksen.

Ajo tha se Danimarka nuk i kundërshtoi lidhjet me Shtetet e Bashkuara, duke përmendur një marrëveshje dypalëshe të vitit 1951, e cila vendosi të drejtat e SHBA për të lëvizur lirshëm dhe për të ndërtuar baza ushtarake në Groenlandë.

“Ne jemi aleatë,” tha ajo, duke shtuar: “Nuk ka asnjë të dhënë as në Danimarkë dhe as në Groenlandë se ne nuk duam bashkëpunim me amerikanët”.