Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka akuzuar SPAK-un për mungesë veprimi ndaj denoncimeve të bëra për shkeljet në shëndetësi.
Sipas saj, që nga gushti i vitit të kaluar nuk ka pasur asnjë reagim apo masë për sigurimin e medikamenteve dhe trajtimin e problemeve të denoncuara në QSUT.
“Është njësoj siç ka qenë më parë. Bëhen kallëzime, nuk ndodh asgjë në QSUT. Unë kam bërë shumë kallëzime dhe të tjera po vijnë,” u shpreh Vokshi.
Ajo paralajmëroi se javën e ardhshme do të dorëzojë kallëzime të reja ndaj ish-ministrave të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe Ogerta Manastirliu. Deputetja akuzon Manastirliun për keqmenaxhimin e check-up-it dhe koncesionin e sterilizimit, duke theksuar se ajo nuk është hetuar për ndryshimet në kontratën e sterilizimit dhe tenderat sekretë.
“Kam për Ogerta Manastirliun jo vetëm një kallëzim, por më shumë, si për check-up-in ashtu edhe për sterilizimin. Nuk hetohet për asgjë, as për tenderat sekretë, as për check-up-in që nuk mori asnjë masë për ta kontrolluar,” deklaroi ajo.
Vokshi gjithashtu kritikoi ndarjen e buxhetit për shëndetësinë, duke theksuar se Onkologjiku merr vetëm 7% të fondeve të QSUT-së, ndërsa koncesioni i sterilizimit përfiton 30%.
Deputetja e PD-së ritheksoi se do të vazhdojë denoncimet dhe do të kërkojë llogari për këto çështje, duke theksuar rëndësinë e ndërhyrjes së institucioneve të drejtësisë.
“Nuk ka asnjë informacion, që nga gushti i vitit të kaluar, jo vetëm kaq, jo vetëm SPAK nuk ka reaguar, por nuk është marrë asnjë masë në mënyrë që të ketë sigurim të kurave, sigurim të medikamenteve, asnjë masë disiplinore në lidhje me denoncimin.
Është njësoj siç ka qenë më parë. Bëhen kallëzime, nuk ndodh asgjë në QSUT.
Unë kam bërë shumë kallëzime dhe të tjera po vijnë. Që javën që vjen, kam një sërë kallëzimesh të tjera, duke filluar që nga Ilir Beqja, Ogerta Manastirliu.
Kam për Ogerta Manastirliun jo vetëm një kallëzim, por më shumë, si për check-up-in ashtu edhe për sterilizimin, sepse Ogerta Manastirliu nuk hetohet për asgjë, as për tenderat sekretë, as për sterilizimin që ndryshoi kontratën duke e përkeqësuar atë, as për check-up-in që nuk mori asnjë masë as për ta kontrolluar.
Dhe më e keqja, se u përmend buxheti, a e dini ju që i gjithë onkologjiku merr rreth 7% të buxhetit të QSUT-së, ndërkohë që sterilizimi merr 30%?
Që javën që vjen, unë do të dërgoj kallëzime të tjera, qoftë për Ilir Beqjan, kallëzime të tjera që janë të lidhura me sterilizimin dhe me check-up-in”, tha Vokshi në një intervistë për Syri TV.