Bashkimi Evropian ka ndryshuar qëndrim për sa i përket dërgimit të trupave në Ukrainë dhe po përpiqet të gjejë forma të tjerë për të ndihmuar në sigurinë e Ukrianës. Kjo për shkak të kufizimeve politike dhe logjistike si dhe mundësisë që Rusia dhe SHBA-të t’i kundërshtojnë planet e tyre, shkruan Reuters.
Franca, e cila ka punuar ngushtë me Britaninë për të dalë me mundësi të ndryshme, do presë 30 krerë dhe delegacione nga rreth 30 vende të enjten, pjesë e asaj që është bërë një “koalicion i të gatshëmve” për të provuar dhe mishëruar disa ide.
Por ndërsa Londra dhe Parisi kanë punuar për javë të tëra në një plan për të dërguar mijëra trupa në Ukrainë për të ndihmuar në ruajtjen e një armëpushimi të ardhshëm, diplomatët thonë se pranohet gjithnjë e më shumë se dërgimi i një force të tillë nuk është rezultati më i mundshëm.
“Ata po bëjnë një hap prapa nga trupat tokësore dhe po përpiqen të mendojnë diçka që mund të ishte më e arsyeshme,” tha një diplomat evropian.
Një tjetër tha: “Kur Ukraina ishte në një pozitë më të mirë, ideja për të dërguar trupa u mendua. Por tani, me gjendjen në terren dhe qëndrimin e administratës amerikane, kjo ide nuk është shumë joshëse.”
Ukraina ka thënë prej kohësh se çdo marrëveshje paqeje do kërkonte garanci të forta sigurie nga Perëndimi për të parandaluar çdo përsëritje të sulmeve nga Rusia, e cila filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë në 2022.