Kreu i PD-së Berisha tha sot se qeverisja e tij do vendosë taksën e sheshtë 10 për qind.
Gjatë një takimi me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe shoqatat e biznesit, kryedemokrati tha se është vërtetuar që taksa i jep frymëmarrje ekonomisë.
Berisha premtoi gjithashtu ulje të numrit të inspektimeve në bizneset e vendit.
“Do të vendosim taksën e sheshtë 10 përqind. Taksa e mijëvjeçareve të njerëzimit, është e faktuar si taksa më e drejtë që i jep frymëmarrje ekonomisë. E kemi eksperimentuar në 2005, dhe jo vetëm që nuk patëm ulje të të ardhurave por patëm dyfishim të tyre. Do të ulim progresivisht detyrimin e sigurimeve shoqërore. Nuk mund të them që do të bëhet në 100 ditët e para. TVSH do të zbritet në 15 përqind me qëllim për të zbritur edhe më poshtë. Do të ulim numrin e inspektimeve. Përjashtim për 5 vite nga taksat për shqiptarët që vijnë në vendin tonë dhe investojnë. Ne jemi për zonat e lira ekonomike do të bëjmë gjithçka për të nisur me 4 zona e për të vijuar për më shumë,. Do të ndalohen investimet nga offshore sepse politikanët mund të investojnë ato që kanë vjedhur dhe kjo e bën të pamoralshme zonën”, tha ai.