Eksperti i IT, Besmir Semanaj, në një intervistë për emisionin Task Force në Syri TV foli për mbylljen e TikTokut dhe pajisjet e marra për të mbyllur përdorimin e rrjetit social në Shqipëri.
Semanaj deklaroi se qytetarët janë të shqetësuar për pajisjet e marra nga Izraeli duke thënë se nuk është akoma e qartë kush e ka bërë pagesën.
Sipas tij justifikimi për blerjen e pajisjeve ka qenë bllokimi i TikTok-ut, por gjatë tentativa kanë mbyllur dhe shërbimet sociale.
“Këto pajisje kanë hyrë në Shqipëri më 11 mars 2025. Nuk janë kompani të cilat kanë bërë kërkesë dhe të cilat i kanë blerë këto pajisje. Një prej këtyre është përballë spitalit nr.5. Kolegët janë të shqetësuar, sepse në fund të ditës janë qytetarë dhe kanë bërë fotografi të pajisjeve.
Pajisjet vijnë nga Izraeli dhe nuk është e qartë kush ka bërë pagesën. Justifikimi i këtyre pajisjeve është bllokimi i TikTok-ut. Gjatë tentativave për mbylljen e TikToku-t bënë edhe shumë gafa duke bllokuar mbylljen e shërbimeve sociale. E kuptuan që nuk mund ta bllokojnë dot TikTok-un, sepse çdo gjë funksionon në kohë reale. “ – tha Semanaj.
Lidhur me pajisjet e cilësuar përgjuese, për bllokimin e TikTokut foli në emision edhe gazetari Klodian Tomorri.
Tomorri tha se pajisjet janë një bombë me sahat në dorën e qeverisë të cilat mund të përdoren ndaj kujdo.
“Një nga ngjarjet më të rënda që mund të ketë ndodhur në raport me shkeljen e ligjit, por shkon edhe shumë përtej shkeljes së ligjit, nëse verifikohet ashtu siç është.
Një qeveri prokuron në mënyrë të dyshimtë disa pajisje, të cilat nuk dihet se kush i ka marrë, pajisje që u përdorkan për bllokim interneti, për të bllokuar apo ngadalësuar mediat që ti do, u përdorkan për përgjime masive.
Si mund të bëhet fshehtas, dhe fakti që është bërë në fshehtësi, në sekret të plotë, tregon se kjo është tërësisht jo ligjore.
Denoncimi dhe detaje që na japin se kur ka ardhur, e ku është instaluar pajisje, ky është një informacion që i ka faktet të gatshme.
Gjërat që bëhen fshehtas, nuk kanë asnjëherë qëllim të mirë, por qëllime djallëzore nga pas.
Për mua kjo gjë duhet të hetohet nga struktura e posaçme, për faktin se kjo është një bombë që qeveria e ka në dorë dhe mund ta lëshojë kur të dojë, për interesat e veta.
Nuk mund të jetë Shqipëria një vend ku qeveria merr pajisje të dyshimta, i fut përmes metodave të fshehta, dhe mund ti përdorë si të dojë.
Ma merr mendja se edhe në Turqi, sapo vende të tjera ‘demokratike’ nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
Kjo është totalisht jashtë shinave të ligjit’, u shpreh Klodian Tomorri