Cilat janë planet e Putinit për Arktikun, mes tensioneve të SHBA-së dhe Danimarkës


Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar një përshkallëzim të situatës në Arktik, duke deklaruar se Rusia do të dërgojë më shumë personel ushtarak në rajon dhe do të mbrojë interesat e saj atje, përcjell Daily Mail. Deklarata e tij vjen në një kohë kur presidenti Donald Trump ka shprehur synimin për të siguruar kontrollin e Groenlandës, një territor autonom i Danimarkës.

“Gjithçka lidhet me plane serioze nga ana e SHBA-së në lidhje me Groenlandën. Këto plane kanë rrënjë të thella historike,” tha Putin në një forum për Arktikun në qytetin Murmansk.

Ai argumentoi se vendet e NATO-s po e shohin gjithnjë e më shumë Arktikun si një trampolinë për konflikte të mundshme dhe se Rusia po ndjek nga afër zhvillimet, duke përgatitur një përgjigje të përshtatshme.

“Roli dhe rëndësia e Arktikut, si për Rusinë, ashtu edhe për të gjithë botën, po rritet. Por, për fat të keq, po rritet edhe konkurrenca gjeopolitike dhe lufta për pozicione në këtë rajon,” shtoi ai.

Putin gjithashtu përmendi se SHBA kishte pasur plane për të aneksuar Groenlandën dhe Islandën që në vitet 1860, por Kongresi amerikan nuk i kishte mbështetur atëherë.

Vizita e JD Vance dhe tensionet në rritje

Zëvëndës presidenti amerikan JD Vance pritet të vizitojë Groenlandën të premten, së bashku me bashkëshorten e tij Usha Vance, duke u bërë zyrtari më i lartë amerikan që viziton territorin mes një retorike të ndezur lidhur me të ardhmen e ishullit.

Para vizitës, Vance ka deklaruar se Groenlanda nuk ka marrë mbështetjen e duhur për mbrojtjen nga Kopenhageni, duke argumentuar se siguria globale është në rrezik.

“Ne duam të forcojmë sigurinë e popullit të Groenlandës sepse besojmë se është e rëndësishme për mbrojtjen e sigurisë së të gjithë botës,” tha ai në një mesazh online.

Komentet e tij vijnë pas një debati të gjerë mbi qasjen e Trump ndaj Groenlandës. Presidenti amerikan ka theksuar se SHBA do të sigurojë kontrollin e territorit të pasur me minerale “me çdo kusht”, një qëndrim që ka shkaktuar reagime të ashpra nga udhëheqësit e Groenlandës dhe Danimarkës.

Danimarka ka deklaruar ndryshime në itinerarin e delegacionit amerikan si një fitore diplomatike, duke nënvizuar se Vance dhe bashkëshortja e tij do të vizitojnë vetëm bazën ushtarake amerikane Pituffik në veri të Groenlandës dhe jo komunitetet vendase, duke shmangur kështu ndonjë incident diplomatik.

Reagimi i udhëheqësve të Groenlandës

Kryeministri i Groenlandës, Mute Egede, e ka dënuar qasjen e SHBA-së, duke thënë se kërcënimet për aneksimin e ishullit janë të papranueshme.

“Presidenti amerikan ka shprehur edhe një herë dëshirën për të na aneksuar. Kjo është e papranueshme. Mjaft është mjaft,” tha Egede në një deklaratë zyrtare.

Jens-Frederik Nielsen, lideri i partisë Demokratike, i cili pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Grenlandës, gjithashtu kritikoi qëndrimin e Trump.

“Komentet e Trump janë të papërshtatshme dhe tregojnë pse ne duhet të qëndrojmë të bashkuar për të mbrojtur sovranitetin tonë,” tha ai.

Interesat strategjike dhe ekonomike në Arktik

Arktiku është një rajon me pasuri të mëdha natyrore, duke përfshirë rezerva të mëdha nafte dhe gazi, si dhe minerale të çmuara që po bëhen më të aksesueshme për shkak të ngrohjes globale.

Rusia ka intensifikuar prezencën e saj ushtarake dhe ekonomike në rajon, duke ndërtuar porte të reja dhe duke investuar në flotën e saj tregtare dhe në akullthyese bërthamore për të lehtësuar lundrimin në Rrugën e Veriut.

Ndërkohë, SHBA synon të forcojë praninë e saj në Groenlandë, duke e konsideruar ishullin si një pikë kyçe strategjike midis Amerikës së Veriut dhe Evropës.

Groenlanda, e cila ka autonomi të gjerë por mbetet nën sovranitetin e Danimarkës, është shndërruar në një fushëbetejë të re gjeopolitike mes fuqive të mëdha, me SHBA, Rusinë dhe Kinën që kërkojnë të zgjerohen në rajon.