Gjashtë të vdekur pas mbytjes së një nëndetëseje turistike në Detin e Kuq


Gjashtë persona kanë humbur jetën dhe nëntë të tjerë janë plagosur pasi një nëndetëse turistike u mbyt në zonën turistike të Hurgadës, në Detin e Kuq, Egjipt.

Dy zyrtarë lokalë konfirmuan incidentin për Associated Press (AP), por kërkuan të mbeten anonimë pasi nuk ishin të autorizuar të flisnin për mediat, përcjell The Guardian.

Incidenti ndodhi pranë resortit Marriot Hotel në Hurgadë dhe përfshiu një mjet nënujësor rekreativ të operuar nga kompania Sindbad Submarines.

Sipas raporteve të AP dhe Reuters, të gjitha viktimat ishin shtetas të huaj, por kombësitë e tyre nuk janë bërë ende të ditura.

Ambasada ruse në Egjipt deklaroi se të gjithë turistët që ndodheshin në bord ishin rusë. Përmes një postimi në Facebook, ambasada njoftoi se nëndetësja mbante 45 pasagjerë, mes të cilëve kishte edhe fëmijë.

Sipas autoriteteve vendore, ekipet e emergjencës kanë shpëtuar 29 persona, të cilët janë transportuar me ambulanca në disa spitale të qytetit.

Ende nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi mbytjen e nëndetëses. Ndërkohë, për shkak të rreziqeve të sigurisë nga konfliktet në rajon, shumë kompani turistike kanë ndaluar ose kufizuar lundrimet në Detin e Kuq.

Kompania Sindbad Submarines, sipas faqes së saj zyrtare, operon dy nëndetëse turistike që mund të arrijnë një thellësi deri në 25 metra, duke u ofruar vizitorëve mundësinë për të eksploruar botën nënujore të Detit të Kuq pa u lagur.