Gjermania ka deklaruar se “nuk do të dorëzohet” dhe se Europa duhet të “përgjigjet me vendosmëri” ndaj tarifave të reja të presidentit amerikan Donald Trump për makinat dhe pjesët e importuara, të cilat do të taksohen me 25%.
Ekonomitë kryesore botërore kanë premtuar kundërpërgjigje, me Francën që e ka quajtur lëvizjen “lajm shumë të keq”, Kanadanë që e ka cilësuar një “sulm të drejtpërdrejtë” dhe Kinën që e ka akuzuar Uashingtonin për shkelje të rregullave ndërkombëtare të tregtisë.
Të enjten në mëngjes, aksionet në bursën e Frankfurtit për Porsche, Mercedes dhe BMW pësuan rënie të ndjeshme, ashtu si edhe ato të grupit francez Stellantis, prodhuesit të markave Jeep, Peugeot dhe Fiat, përcjell BBC.
Tarifat e reja për makinat do të hyjnë në fuqi më 2 prill, ndërsa taksimi për pjesët e automjeteve do të nisë në maj ose më vonë. Trump ka paralajmëruar se do të vendosë tarifa “edhe më të larta” nëse Evropa bashkëpunon me Kanadanë për të shkaktuar, sipas tij, “dëm ekonomik” ndaj SHBA-së.
Presidenti amerikan ka mbrojtur tarifat si një mënyrë për të mbështetur prodhimin vendas, duke thënë se makinat e prodhuara në Amerikë “nuk do të kenë asnjë tarifë”.
Gjermania ka reaguar ashpër përmes ministrit të Ekonomisë Robert Habeck, i cili ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të përgjigjet me vendosmëri.
“Duhet të jetë e qartë se nuk do t’i nënshtrohemi SHBA-së. Duhet të tregojmë forcë dhe vetëbesim,” deklaroi Habeck.
Ministri francez i Financave, Eric Lombard, mbështeti një qasje të përbashkët evropiane, duke thënë se “e vetmja zgjidhje” është vendosja e tarifave të kundërta për produktet amerikane.
“Jemi në një situatë ku po na sulmojnë. Ose e pranojmë dhe kjo nuk do të ndalet kurrë, ose kundërpërgjigjemi,” tha Lombard, duke shtuar se është e nevojshme të “rivendoset baraspesha” në tregtinë ndërkombëtare.
Kryeministri kanadez Mark Carney i quajti tarifat një “sulm të drejtpërdrejtë” ndaj vendit të tij dhe industrisë automobilistike, duke theksuar se po shqyrtohen opsione tregtare për të reaguar ndaj kësaj mase.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtarëve të Automjeteve (SMMT) tha se ky vendim nuk ishte befasues, por “gjithsesi zhgënjyes”.
John Neill, themeluesi i kompanisë Uniparts, tha se tarifat e Trump ishin “një dhuratë për kinezët”, pasi konsumatorët ndërkombëtarë do të kthehen drejt alternativave kineze për të shmangur një luftë tregtare.
Ndërkohë, Kina e ka akuzuar administratën e Trump për shkelje të rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë (WTO).
“Nuk ka fitues në një luftë tregtare apo tarifore. Asnjë vend nuk ka arritur zhvillim dhe prosperitet duke vendosur tarifa,” deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.
Japonia ka paralajmëruar për “një ndikim të rëndësishëm” në marrëdhëniet ekonomike me SHBA-në. Një zëdhënës i qeverisë e quajti masën “tepër të pafat” dhe tha se zyrtarët japonezë kanë kërkuar një përjashtim nga tarifat.
Në Korenë e Jugut, një ditë para hyrjes në fuqi të tarifave, Hyundai njoftoi një investim prej 21 miliardë dollarësh në SHBA, përfshirë ndërtimin e një fabrike të re çeliku në Luiziana.
Trump e cilësoi këtë si “një dëshmi të qartë se tarifat funksionojnë fort”, duke argumentuar se kompanitë janë të detyruara të investojnë më shumë në SHBA për të shmangur tarifat e rënda.
Ndërkohë, kompania gjermane Bosch tha se mbetet e bindur për “potencialin afatgjatë” të tregut amerikan dhe do të vazhdojë të zgjerojë biznesin e saj atje.