Gjykata Kushtetuese shtyn seancën për shqyrtimin e ligjit mbi SPAK dhe GJKKO


Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shtyjë për në datën 23 prill shqyrtimin e çështjes lidhur me një prej neneve të ligjit nr. 95 të vitit 2016, i cili rregullon funksionimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Gjykatave të Posaçme Antikorrupsion.

Gjyqtarët kushtetues kanë vlerësuar se, për këtë çështje, duhet të thirren si palë të tretë edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), krahas Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave.

Çështja ka të bëjë me vendimin e KLGJ për mosemërimin e gjyqtarit Gerd Hoxha në Gjykatën e Posaçme.

Hoxha ka paditur në gjykatën Administrative, duke pretenduar se u skualifikua nga gara për shkak të vlerësimit negativ të dhënë nga komisioni i posaçëm pranë SPAK, që përfshin dy prokurorë, një gjyqtar të posaçëm dhe hetues nga BKH.

Hoxha ka argumentuar se komisioni përdori një foto të tij me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, si arsye për vlerësimin negativ.

Gjykata Kushtetuese ka kërkuar interpretimin e nenit për funksionimin e komisionit të posaçëm dhe ka shtyrë seancën e radhës për në 23 prill, kur KLGJ do të paraqesë pretendimet e tij.