Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka certifikuar të enjten rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke i hapur kështu rrugë formimit të institucioneve të reja të Kosovës.
Në një mbledhje pasditen e së enjtes në Prishtinë, KQZ-ja e miratoi certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve me 9 vota për dhe 2 kundër.
Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, kundërshtuan certifikimin e zgjedhjeve në këtë kohë, pasi partia e tyre ka kërkuar anulimin e votave me postë dhe rivotim me postë, pavarësisht se Gjykata Supreme e rrëzoi kërkesën e saj.
“Ne do t’i ndjekim rrugët ligjore dhe do ta dërgojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese për masë të përkohshme për moszbatimin e kësaj pjese të votave, prandaj… deri sa të përfundojnë të gjitha rrugët ligjore nuk mund ta votojë certifikimin e rezultateve”, tha Kurteshi.
LVV-ja i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit me 42.30 për qind të votave, duke i lënë pas Partinë Demokratike të Kosovës me 20.95 për qind dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës me 18.27 për qind.
Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate me 7.06 për qind.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar 4.26 për qind të votave.
Tre kryetarë komunash – përfshirë kandidatin e PDK-së për kryeministër në këto zgjedhje Bedri Hamza – hoqën dorë nga mandati i deputetit, sepse, sipas ligjeve dhe Kushtetutës, nuk kanë të drejtë t’i mbajë dy pozita zyrtare.
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri hoqi dorë nga mandati i deputetit dhe do të zëvendësohet nga Arben Gashi. Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti do të zëvendësohet nga Paris Guri, ndërsa kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, do të zëvendësohet nga Rashit Qalaj.
Procedurat për formimin e institucioneve të reja janë të parapara në Kushtetutë dhe ligje të tjera, siç shpjegon teksti në vijim.
Menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve hapi i parë është konstituimi i përbërjes së re parlamentare dhe pastaj i formimit të Qeverisë së re.
Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet që brenda 30 ditësh të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit.
Gjatë kësaj seance, deputetët e rinj bëjnë betimin dhe më pas zgjedhin kryetarët dhe nënkryetarët.
Posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë së parë në zgjedhje, në këtë rast LVV-së. Ndërkaq, partitë më të mëdha politike propozojnë një kandidat për nënkryetar, por edhe deputetët e komunitetit serb dhe ata të komuniteteve joshumicë, duhet të propozojnë nga një deputet për postin e nënkryetarit.
Kryetari dhe nënkryetarët zgjidhen me shumicë të votave. Seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre.
“Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”, thuhet në Nenin 12, pika 5 e Rregullores së Kuvendit./REL