Kredia e re për ekonominë pësoi një rënie të lehtë në muajin shkurt. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, sektori bankar disbursoi muajin e kaluar 28.7 miliardë lekë kredi të reja, në rënie me 2.1% krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar.
Megjithatë, për shkak të rritjes së lartë janarit, të dhënat progresive të dymujorit tregojnë rritje dyshifrore dhe një vlerë të kredisë së re në nivelet më të larta historike për këtë periudhë të vitit.
Gjatë dy muajve të parë, vlera e kredisë së re për ekonominë arriti në 60.6 miliardë lekë, në rritje me 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Rritja e kredisë së re sipas në fillim të këtij viti po udhëhiqet kryesisht nga segmenti i individëve.
Kredia e re për individët arriti në 20 miliardë lekë, në rritje me 36% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kredia e re për individët po rritet si me qëllim financimin e banesave, ashtu edhe të konsumit.
Duket se normat e favorshme të interesit, nivelet e ulëta të papunësisë dhe rritja e pagave kanë rritur optimizmin dhe prirjen për të rritur konsumin dhe investimet mes familjeve. Megjithëse kreditimi vazhdon të dominohet nga Leku, gjatë këtij viti vërehet një rritje e peshës së kredisë në euro.
Ulja e normave të interesit për monedhën europiane po reflektohet shumë shpejt në rritjen e financimeve në euro në trgeun vendas. Kreditimi ka pësuar një frenim në segmentin e bizneseve, me 1.9% më pak krahasuar me një vit më parë.
Megjithatë, shifrat e kredisë së re nuk janë të korrigjuara për efektin e kursit të këmbimit. Leku vazhdon të jetë i mbiçmuar krahasuar me një vit më parë, faktor që e ndikon negativisht vlerën statistikore të konvertuar në lekë të huasë së biznesit, sepse pesha e euros në këtë segment është më e lartë.
Ecuria pozitive e kreditimit duket qartë edhe në vlerën totale të portofolit, të shprehur si tepricë. Portofoli i kredisë për ekonominë në fund të muajit shkurt arriti në 847 miliardë lekë, me një rritje prej gati 7 miliardë lekësh krahasuar me fundin e janarit.
Me bazë vjetore portofoli total i kredisë ishte në rritje me 13%, duke ruajtur nivele të ngjahsme me ato të fundit të vitit të kaluar. Kredia është në rritje të në gjitha segmentet kryesore të tregut, me përjashtim të korporatave publike.
Rritja vjetore e portofolit për kompanitë private arriti në 13.4%, ndërsa për individët në 14.1%. Portofoli i individëve vazhdon të ketë ritme më të larta të rritjes vjetore, për shkak të një strukture më të qëndrueshme, të mbështetur sidomos tek kreditë afatgjata për blerje banesash.
VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.