Kryeministri i Kanadasë shqyrton përgjigjen ndaj “sulmit të drejtpërdrejtë” nga tarifat e Trump për makinat


Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, po mban një takim me kabinetin e tij për të diskutuar përgjigjen ndaj kërcënimit të fundit të tarifave nga SHBA, të cilat ai i ka cilësuar si një “sulm të drejtpërdrejtë” ndaj punëtorëve të industrisë automobilistike kanadeze.

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi të mërkurën se do të vendosë një tarifë prej 25% mbi makinat dhe pjesët e automjeteve të importuara, duke e cilësuar këtë masë si “përherë të përhershme”.

Tarifat do të hyjnë në fuqi më 2 prill, ndërsa taksat mbi pjesët e automjeteve do të nisin të aplikohen në maj ose më vonë.

Kryeministri Carney, lider i Partisë Liberale, ka ndryshuar planet e fushatës për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme dhe do të përqendrohet në këtë çështje, duke u angazhuar për të kundërshtuar këto tarifa, përcjell BBC.

Kanadaja tashmë ka vendosur tarifa të caktuara prej C$60 miliardë (rreth 42 miliardë dollarë amerikanë) ndaj mallrave amerikane, si kundërpërgjigje ndaj tarifave 25% që SHBA ka vendosur mbi aluminin dhe çelikun nga Kanadaja.

Në të njëjtën kohë, Trump paralajmëroi Kanadën dhe Bashkimin Europian se, nëse ato veprojnë së bashku për të dëmtuar ekonominë amerikane, do të vendosen tarifa të mëdha për ta.

Kryeministri Carney tha se do të ishte e përshtatshme që ai dhe Trump të bisedojnë lidhur me këtë çështje. Ndërkohë, lideri i opozitës konservatore, Pierre Poilievre, e cilësoi këtë masë si “të paarsyeshme dhe të pabazuara”.

Po ashtu, lideri i Partisë NDP, Jagmeet Singh, ndodhet në Windsor, Ontario, për të takuar sindikatat dhe punëtorët e industrisë automobilistike për t’u angazhuar në këtë debat.

Zgjedhjet në Kanada do të mbahen më 28 prill, ndërkohë që situata lidhur me tarifat dhe përgjigjet e mundshme të shteteve do të jetë një çështje kryesore.