“Mbyllja e TikTok në telefona ka përfunduar, më 11 maj të na votojnë edhe ata që s’janë  socialistë”


Kryeministri Rama tha sot se procedura për mbylljen e TikTok-ut në telefona ka përfunduar ndërsa paralajamëroi për mospërdorimin e VPN-ve pasi kështu rrezikohen nga hakerat.

Ai tha se përfaqësuesit e kompanisë do vijnë shumë shpejt në Shqipëri për të biseduar me qeverinë si ta bëjnë aplikacionin të sigurt për fëmijët e të rinjtë.

“Procedura për mbylljen e TikTok ka përfunduar në telefonat smart. Përdorimi i VPN është i rrezikshme sepse me VPN falas hakerat bëjnë namin, kështu që duroni disa kohë pa TikTok deri kur të përfundojë edhe programi i përbashkët me kompaninë e cila do vijë në Shqipëri së shpejti për të paraqitur planin për mbrojtjen e fëmijëve.”­ – tha Rama.

Ai tha më tej se Shqipëria nuk mund të kthehet më në epokën ku nuk kishte drejtësi. një referencë kjo për qeveritë e mëparshme.

“Fatos Nano është i burgosuri i fundit politik në vend. Është një luftë e gjatë dhe kthesa është e dukshme dhe e vlerësuar lart nga BE dhe familja e madhe, tek e cila duam që të hyjmë e ku nuk bashkohemi dot nëse nuk tregojmë se kemi barazi para ligjit. Drejtësia e re është bëma më e madhe e PS. Kjo luftë udhëhiqet nga unë, që drejtësia të bëjë drejtësi. PS duhet votuar më 11 maj nga socialistë, por edhe jo socialistë. Duhet mos kthehemi aty ku ishim, në llumin e një drejtësie që nuk ishte drejtësi.” – shtoi Rama.