Prej ditësh, banorët e Velipojës po protestojnë kundër projektit “Blue Borgo” me pretendimin se ndërtimi po ndodh në pronat e tyre.
Protestat kanë degraduar në përplasje dhe dhunë mes banorëve dhe policisë, ku qytetarët shprehen se i kanë pronat prej shekujsh dhe pretendojnë se me dokumente të falsifikuara është tjetërsuar prona.
“Këtu jemi me dokumente të rregullta, çfarë duan këta hajdutë“, thonë banorët.
Sipas Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), pavarësisht pronësisë, Zonat e Mbrojtura u takojnë dhe ju shërbejnë fillimisht banorëve lokal dhe më pas gjithë Shqipërisë, si një pasuri kombëtare.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kjo organizatë deklaron se zona Bunë-Velipojë mbart statusin Peizazh i Mbrojtur në nivel kombëtar, dhe është e njohur si zonë me rëndësi të lartë ndërkombëtare duke fituar statusin si Zonë Ramsar (Konventa e Ligatinave), Zonë Emerald (Konventa e Bernës), Zonë Kyç për Biodiversitetin (KBA), Zonë e Rëndësishme për Shpendët (IBA).
“Qeveria shqiptare dhe në veçanti Ministria e Turizmit dhe Mjedisit u zotua para publikut shqiptar dhe Delegacionit Evropian në Shqipëri se ndryshimet e ligjit të Zonave të Mbrojtura do të ndihmonin banorët lokal dhe nuk do të cënonin ekosistemin. Por, me nisjen e implementimit të këtij ligji, të parët që po protestojnë janë banorët lokal të cilëve po ju merren burimet natyrore.
PPNEA, si një nga organizatat kryesore me ekspertizë mjedisore në Shqipëri, deklaron se nuk ka marrë asnjë ftesë për dëgjesa me ekspertët në lidhje me këtë zhvillim.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, i cili premtoi se do monitoronte nga afër implementimin e ligjit të ri për Zonat e Mbrojtura, të reagojë në lidhje me ngjarjen e ditëve të fundit në një zonë me rëndësi të lartë për komunitetin Evropian.”- shkruan Qëndra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale.