Një i arrestuar, 2 në kërkim, vodhën tre banesa dhe një automjet në Vlorë


Policia e Vlorës ka vënë në pranga një person dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, të dyshuar për vjedhjen e tre banesave dhe një automjeti në fshatin Fitore, Novoselë.

Sipas njoftimit zyrtar, është arrestuar shtetasi Emanuel Brahimi, 31 vjeç, banues në Fitore, ndërsa janë shpallur në kërkim Gentian Silaj, 28 vjeç, dhe Masimiljano Zenunaj, 30 vjeç, të dy banues në të njëjtin fshat.

Hetimet kanë zbuluar se mëngjesin e 17 marsit 2025, këta shtetas kanë vjedhur në dy banesa të qytetarëve që aktualisht ndodhen jashtë vendit, si dhe në një banesë tjetër, nga e cila kanë marrë edhe një automjet të markës “Land Rover”. 

Njoftimi:

DVP Vlorë/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme kundër krimeve ndaj pronës, vihet në pranga një shtetas dhe shpallen në kërkim 2 bashkëautore të dyshuara, për tre vjedhje banesash dhe një automjeti, në fshatin Fitore.

Në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më herët, dhe falë veprimeve të mirëorganizuara hetimore të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, u bë i mundur dokumentimi i tre rasteve të vjedhjes, në fshatin Fitore, Novoselë, ndalimi me iniciativë i njërit prej autorëve të dyshuar, si dhe shpallja në kërkim e dy të tjerëve, konkretisht:

U ndalua shtetasi:

E. B., 31 vjeç, banues në Fitore.

Ndërsa u shpallën në kërkim shtetasit:

G. S., 28 vjeç, dhe M. Z., 30 vjeç, banues në Fitore.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në orët e para të mëngjesit të datës 17.03.2025, kanë vjedhur në dy banesa të shtetasve që aktualisht jetojnë jashtë vendit, si dhe në banesën e një shtetasi tjetër, nga ku kanë marrë edhe një automjet të markës “Land Rover”, i cili është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e rasteve të tjera ku këta shtetas dyshohen se janë autorë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore.