Zjarret në Korenë e Jugut u marrin jetën 26 personave


26 persona kanë humbur jetën në Korenë e Jugut pas zjarreve shkatërruese që kanë goditur vendin prej disa ditësh. 27,000 banorë janë zhvendosur nga banesat ndërsa më shumë se 17,000 hektarë tokë janë djegur.

Zjarret e fundjavës ishin të dytat më të mëdha pas atyre në prill 2000 dhe disa besojnë se ato do jenë edhe më të rënda pasi të llogariten të gjitha dëmet. Të paktën 30 zjarre të dallueshme kanë shpërthyer që prej të premten, shkruan Breitbart.

Korea Herald raportoi se zjarret duket se janë shkaktuar nga pakujdesia nga ndonjë prej qytetarëve të vendit.

“Mungesa e lagështisë dhe temperaturave të larta në rajon çuan që zjarret të bëhen një nga fatkeqësitë më të këqija në historinë e vendit,” vuri në dukje media.

Njerëzit e ngecur në rrugën e flakëve thanë se erërat e forta po bënin që zjarri të përhapej me shpejtësi. Shumë nga viktimat raportohet se janë njerëz të moshuar që nuk mundën të evakuoheshin mjaft shpejt.

Dy tempuj budiste ishin midis ndërtesave të shkatërruara nga zjarret, njëri prej tyre mbi 1300 vjeçar. Të dy tempujt ishin cilësuar “thesare” historike nga qeveria e Koresë së Jugut.