18.3 tonë fileto pule me salmonelë hyri nga Brazili, AKU pa transparencë, s’tregon kush është kompania


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar një sasi të madhe mish pule të ngrirë të importuar nga Brazili për shkak se ka rezultuar me salmonelë.

Ngarkesa prej mbi 18 tonësh fileto pule është konstatuar në Portin e Durrësit nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Sasia ka hyrë në Shqipëri më 21 mars, ndërsa një pjesë e madhe e sasisë është hedhur në treg dhe konsumuar.

AKU nuk tregon se kush është kompania që e ka hedhur në treg fileton me salmonelë duke mos dhënë asnjë transparencë për konsumatorin.

Bëhet fjalë për 18.3 tonë fileto pule të ngrirë e importuar nga Brazili dhe e futur në Shqipëri përmes portit të Durrësit.

Rasti është kapur në inspektim nga AKU e cila më pas ka dërguar për të bërë analiza në ISUV, por nuk ka pasur njoftim nga sistemi evropian.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se analiza është bërë në Portin e Durrësit sapo ka mbërritur ngarkesa dhe kompania është urdhëruar për të bllokuar produktet në doganë në frigoriferët aty.

Pasi është marr përgjigja e analizës nga ISUV që fileto ishte me salmonelë, është vajtur nga AKU në port dhe është urdhëruar bllokimi i sasisë, por kompania ka deklaruar se një pjesë është shitur, për këtë arsye rasti është refereuar në prokurori.

Nga 18.250 kg fileto pule me praninë e Salmonelës, një pjesë e sasisë është bllokuar,  ndërkohë një pjesë është hedhur në treg mëson gazetarja e Report Tv, Eliza Gjediku.

Mbetet e paqartë sa është garkesa e hedhur në treg dhe sa është e bllokuar. Burime bëjnë me dije se 9 subjekte janë kontrolluar në Vlorë ku u gjetën nga AKU fileto pule me salmonelë.

“Pas analizës së realizuar në ISUV më 21.03.2025, ku u identifikua prania e Salmonella Typhimurium në një mostër produkti pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës” informon AKU.

AKU që në njoftimin për shtyp thotë se e ka shpërndarë  ‘në kuadër të transparencës’ fsheh, dhe nuk jep të dhëna të rëndësishme për konsumatorin shqiptar.

Nuk i përgjigjet pyetjeve se sa është sasia e ngarkesës së identifikuar me salmonelë, sa është sasia e mishit të pulës së infektuar që ka dalë në treg dhe cila është kompania që e ka importuar nga Brazili dhe e ka hedhur në treg.

AKU thotë se ka inspektuar subjektin importues për të siguruar gjurmueshmërinë si dhe e ka referuar kompaninë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme proceduriale lidhur me elementët e veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.

 

Njoftimi i AKU-së

Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, si dhe për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka ndërmarrë një sërë masash të menjëhershme dhe të strukturuara për të adresuar një situatë të identifikuar disa ditë më parë gjatë kontrolleve të produkteve ushqimore të importuara në Portin e Durrësit.

Pas analizës së realizuar në ISUV më 21.03.2025, ku u identifikua prania e Salmonella Typhimurium në një mostër produkti pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës.

Është inspektuar subjekti importues për të siguruar gjurmueshmërinë, i cili është referuar në organet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme proceduriale lidhur me elementët e veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.