Zëvendëspresidenti i SHBA JD Vance kritikoi Danimarkën gjatë një vizite në Groenlandë të premten, duke thënë se nuk ka bërë një punë të mirë në mbajtjen e territorit gjysëm autonom danez dhe popullit të tij të sigurt nga inkursionet e Kinës dhe Rusisë, ndërsa premtoi respekt për Groenlandën dhe popullin e saj si partnerë të Shteteve të Bashkuara.
Vance tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë plane të menjëhershme për të zgjeruar praninë ushtarake të SHBA-së në terren në Groenlandë, por do investojnë në burime, duke përfshirë anije shtesë.
“Danimarka nuk e ka mbajtur ritmin dhe nuk i ka kushtuar burimet e nevojshme për të mbajtur këtë bazë, për të mbajtur trupat tona dhe për mendimin tim, për të mbajtur popullin e Groenlandës të sigurt nga shumë inkursione shumë agresive nga Rusia, nga Kina dhe kombe të tjera”, tha Vance, shrkuan Reuters.
Ai shtoi se Rusia, Kina dhe vende të tjera po shfaqin një “interes të jashtëzakonshëm” për rrugëkalimet e Arktikut, rrugët detare dhe mineralet në rajon dhe SHBA-ja do investojë më shumë burime, duke përfshirë anijet detare dhe akullthyesit ushtarakë që do kenë një prani më të madhe në vend.
Mbreti i Danimarkës lëshoi një deklaratë mbështetjeje në rrjetet sociale.
“Nuk duhet të ketë dyshim se dashuria ime për Greonlandën dhe lidhja ime me popullin e Groenlandës janë të paprekura,” tha mbreti Frederik.
Vance përshëndeti forcat e armatosura të SHBA-së menjëherë pas mbërritjes së tij, duke i falënderuar ata për shërbimin e tyre në bazën e largët që ndodhet 1200 km në veri të Rrethit Arktik.
Vance u zotua gjithashtu se populli i Grenlandës do ketë “vetëvendosje” dhe SHBA-ja do respektojë sovranitetin e tij.
“Shpresojmë që ata të zgjedhin të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara, sepse ne jemi i vetmi komb në tokë që do respektojmë sovranitetin e tyre dhe do respektojmë sigurinë e tyre, sepse siguria e tyre është siguria jonë”, tha Vance.
Në të njëjtën kohë presidenti amerikan Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Groenlandën për të siguruar “paqen në të gjithë botën”.
“Ne kemi nevojë për Groenlandën, është shumë e rëndësishme, për sigurinë ndërkombëtare. Ne duhet të kemi Groenlandën.” – tha Trump.