Kreditë me probleme ulen shumë pranë pragut të 4%


Kreditë me probleme ranë më tej në muajin shkurt. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme zbriti në 4.06%, nga 4.12% që kishte qenë në janar dhe 4.69% që kishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia e muajit shkurt e ka çuar raportin e kredive me probleme në nivelin më të ulët që prej shtatorit të vitit 2008.

Ulja e raportit të kredive me probleme po ndikohet veçanërisht nga rritja e shpejtë e kreditimit të ekonomisë. Shifrat e Bankës së Shqipërisë treguan se në fund të muajit shkurt, portofoli i kredisë për ekonominë arriti në 847.5 miliardë lekë, në rritje vjetore me 13%.

Zmadhimi i portofolit të kredisë, si emërues, ndikon në uljen e raportit të kredive me probleme, për sa kohë që vlera e kredisë në vonesë (numëruesi) nuk rritet me të njëjtin ritëm. Në fakt, edhe kreditë me probleme të shprehura në vlerë kanë pësuar një rënie të vogël në 12 muajt e fundit.

Aktualisht, portofoli i kredive me probleme vlerësohet në afërsisht 34.4 miliardë lekë, nga rreth 35.2 miliardë lekë që kishte qenë një vit më parë. Ekonomia shqiptare vazhdon të karakterizohet nga ritme relativisht të larta të rritjes, e mbështetur sidomos nga ecuria e mirë e sektorëve të lidhur me turizmin dhe pasuritë e paluajtshme.

Të dhënat paraprake të INSTAT treguan se ekonomia shqiptare u rrit me afërsisht 4% vitin e kaluar, shkallë rritje e përafërt me vitin 2023. Ecuria e mirë e ekonomisë ka ndikuar pozitivisht aftësinë paguese të sektorit privat dhe po sjell një përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë së aseteve të sektorit bankar.

Një ndikim të rëndësishëm në uljen e raportit të kredive me probleme vlerësohet se ka dhënë edhe forcimi i Lekut në kursin e këmbimit me Euron gjatë dy viteve të fundit, veçanërisht në atë segment të kredisë në Euro ku huamarrësit i kanë të ardhurat e tyre në Lekë.

Efekt pozitiv në aftësinë paguese të huamarrësve ka dhënë edhe ulja e shpejtë e normave të interesit, që nisi qysh në mesin e vitit të kaluar, si për Lekun, ashtu edhe për Euron.

Nivelet e ulëta të raportit të kredive me probleme kanë ndikuar gjithashtu pozitivisht edhe rezultatin financiar të sektorit bankar. Fitimi neto i sektorit për vitin e kaluar arriti në 37.4 miliardë lekë, në rritje vjetore me 15%.

VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.