PD: Qeveria bleu pajisje DPI, kërcënim serioz ndaj privatësisë dhe demokracisë


Partia Demokratike ka denoncuar qeverinë për blerjen dhe përdorimin e teknologjisë Deep Packet Inspection (DPI), duke e cilësuar këtë veprim si një kërcënim të rëndë për privatësinë dhe demokracinë.

Me anë të një deklaratë për media, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, theksoi se kjo është një shenjë frike nga qytetarët dhe një përpjekje për kontroll të plotë.

Garo premtoi se me rikthimin e Sali Berishës në pushtet, qytetarët do të rimarrin të drejtat e tyre dhe do të mbrohet privatësia.

Ajo kundërshtoi çdo përpjekje për të mbyllur platforma sociale si TikTok pa një bazë ligjore të qartë. Zëdhënësja e PD-së i bëri thirrje qytetarëve të reagojnë ndaj këtyre masave, duke e cilësuar situatën alarmante.

 

Deklarata e plotë:

Të dashur qytetarë,

Një kryeministër që blen dhe përdor Deep Packet Inspection (DPI) nuk është thjesht i pushtuar nga paranoja – ai është një njeri që ka frikë nga populli i tij. Kjo teknologji është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj privatësisë, lirisë së shprehjes dhe demokracisë.

Ju premtoj: Sapo Sali Berisha të rikthehet në pushtet, qytetarët do të rimarrin të drejtat e tyre. Privatësia juaj do të mbrohet. Bisedat tuaja, të dhënat tuaja, liria juaj personale nuk do të përgjohet apo kontrollohet më kurrë nga një qeveri!

Të drejtat qytetare janë të shenjta! Askush nuk ka të drejtë të mbyllë TikTok-un apo platformat e tjera pa një ligj të qartë, vetëm për t’ju përgjuar në fshehtësi më pas.

Zgjohuni, shqiptarë të dashur! Shqipëria jonë po fundoset çdo ditë e më thellë me këtë kryeministër. Është koha të ngrihemi, të mbrojmë të drejtat tona dhe të shpëtojmë demokracinë!