Presidenti i Sllovakisë viziton Shqipërinë


Presidenti i Sllovakisë, Peter Pellegrini, ndodhet sot në Shqipëri për një vizitë zyrtare, e para e një kreu shteti sllovak në vendin tonë. Ai u prit me ceremoni zyrtare nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ndërsa më pas të dy mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.

Gjatë fjalës së tij, Pellegrini e cilësoi këtë vizitë si një moment historik për marrëdhëniet mes dy vendeve. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si dy aleatë në NATO, si dhe angazhimin për forcimin e lidhjeve ekonomike, arsimore dhe turistike.

“Ne do të vijojmë mbështetjen për Shqipërinë në rrugën e integrimit europian dhe do të jemi avokatë të fortë të saj në këtë proces. Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm dhe vlerësojmë reformat e ndërmarra,” u shpreh Pellegrini.

Ai nënvizoi gjithashtu rritjen e numrit të turistëve sllovakë në Shqipëri dhe shprehu besimin se ky trend do të vijojë. Përveç kësaj, presidenti sllovak konfirmoi mbështetjen për programet e bursave për studentët shqiptarë në Sllovaki dhe angazhimin për zgjerimin e këtyre mundësive në të ardhmen.