Putin sugjeron një administratë të përkohshme për Ukrainën si rrugë drejt përfundimit të luftës


Presidenti rus, Vladimir Putin, ka sugjeruar se Ukraina mund të vendoset nën një formë të një administrate të përkohshme ndërkombëtare, me qëllim që të mundësohet mbajtja e zgjedhjeve në Ukrainë dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të rëndësishme, përcjell Radio Evropa e Lirë.

Qëllimi afatgjatë i një administrate të tillë do të ishte arritja e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, tha Putin gjatë një vizite që i bëri Flotës Veriore në Murmansk më 28 mars, sipas agjencive ruse të lajmeve.

“Kjo është vetëm një nga opsionet. Nuk po them se nuk ka të tjera”, tha Putin.

Deklaratat e udhëheqësit rus vijnë pas bisedimeve të mbajtura në Paris nga shtetet që e mbështesin Ukrainën mbi mënyrat se si të forcohet pozicioni i Ukrainës brenda dhe jashtë fushëbetejës.

Putin tha se kjo ide mund të zbatohet “nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, Shteteve të Bashkuara me shtetet evropiane” dhe me “partnerët dhe miqtë e Rusisë”.

Qëllimi do të ishte që “të mbaheshin zgjedhje demokratike dhe të vinte në pushtet një qeveri që gëzon besimin e njerëzve dhe më pas të nisnin bisedimet me të për një traktat të paqes”, tha Putin.

Për një kohë të gjatë, Putin është ankuar se autoritetet e Ukrainës nuk janë partnere legjitime për negociata sepse presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka vazhduar të qëndrojë në pushtet edhe pas përfundimit të mandatit të tij pesëvjeçar.

Zgjedhjet në Ukrainë duhej të mbaheshin në maj të vitit 2024, por sipas ligjit në Ukrainë, Zelensky vazhdon të jetë president derisa zgjedhjet e reja të mbahen. Por, votimet nuk mund të mbahen derisa të jetë në fuqi gjendja e luftës, që në Ukrainë është në fuqi që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.

Putin përsëriti qëndrimin e tij se udhëheqja aktuale e Ukrainës është jolegjitime, dhe për këtë arsye heziton që të nënshkruajë ndonjë dokument me të.

Presidenti rus po ashtu shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për një marrëveshje paqësore, duke thënë se Rusia po “lëviz në mënyrë të sigurt drejt arritjes të të gjitha qëllimeve të deklaruara në fillim” të pushtimit. “Ka arsye për të besuar se do t’i arrijmë qëllimet”, tha ai.

Putin tha se beson që presidenti amerikan, Donald Trump, sinqerisht dëshiron që t’i japë fund konfliktit dhe kërkesa e Trumpit për bisedime direkte mes negociatorëve të SHBA-së dhe Rusisë tregoi se Trumpi dëshiron paqe.

Ende nuk ka ndonjë reagim nga Ukraina për deklaratat e fundit të Putinit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se është herët të priten bisedime të nivelit të lartë me Rusinë.

“Ka shumë punë që duhet bërë me të dy palët, veçmas me palën ruse, me të cilën ne nuk kemi biseduar për vite të tëra”, tha ai më 27 mars teksa u kthye në SHBA nga një turne në Karaibe.

I pyetur se sa kohë do të duhet që të bëhet progres, Rubio tha se “unë thjesht nuk mund të jap një afat për këtë gjë sepse nuk varet nga ne”.

Ndërkaq, një ditë më parë presidenti francez, Emmanuel Macron, ishte mikpritës i samitit të udhëheqësve të “koalicionit të vullnetit”, ku tha se ata ishin më të bashkuar se kurrë më parë sa i përket Ukrainës dhe nevojës që të jenë në gjendje t’i kundërvihen, atë që ai e përshkroi plan të Rusisë për të zvarritur procesin e negociatave në mënyrë që të pushtojë sa më shumë territor.

Macron shtyn përpara planet për një forcë sigurie në Ukrainë gjatë samitit në Paris
“Qëllimi ynë është i qartë”, tha Macron pas samitit ku morën pesë udhëheqës të 27 shteteve. “Qëllimi është që të arrihet paqe dhe për ta bërë këtë, ne duhet që ta vendosin Ukrainën në pozicionin më të mirë të mundshëm”.

Në këtë samit u diskutua për dislokimin e mundshëm të një force evropiane në Ukrainë për të mbështetur një armëpushim ose një marrëveshje të paqes në të ardhmen.

“Do të ketë një forcë sigurie që do të operojë në Ukrainë, duke përfaqësuar disa shtete”, tha Macron.

Ndërkaq, pas samitit Zelensky tha se të gjithë e kuptuan se Rusia nuk dëshiron paqe dhe tha se puna për të siguruar garanci të sigurisë për shtetin e tij do të vazhdojë në ditët dhe javët në vijim.

Më herët gjatë kësaj jave, SHBA-ja ka zhvilluar bisedime të ndara me Kievin dhe Moskën në Arabinë Saudite. Këto bisedime rezultuan në një marrëveshje për një armëpushim në Detin e Zi. Shtëpia e Bardhë njoftoi edhe për “zhvillim të masave për zbatimin” e zotimit të palëve për të ndalur sulmet ndaj ndërtesave të energjisë.

Por, Rusia ka vendosur disa kushte në këmbim të respektimit të marrëveshjes për Detin e Zi, përfshirë lehtësimin e sanksioneve.