“Delina Fico e Yuri Kim futën anëtarët e “Fondacionit Qemal Stafa” si këshilltarë ligjorë” – Berisha


Produkt të ekstremit të majtë e cilësoi kreu i PD-së reformën në drejtësi në vend.

Gjatë fjalës së tij në tryezën mbi reformën në drejtësi të organizuar nga Albanian Policy Center dhe Fondacioni “KONRAD ADENAUER” kryedemokrati theksoi se reforma i ka dhënë SPAK-ut hapësirën për të ushtruar presion ndaj gjykatës ndërkohë që e akuzoi atë si armë në duart e PS-së.

Berisha shtoi se prokuroria speciale ka amnistuar krimin elektoral në vend duke dhënë një precedent të rrezikshëm.

“Aspekt tjetër antikushtetues, antiligjor, antidemokratik i reformës në drejtësi është kontrolli policesk mbi gjykatësin që i dorëzon dosjen. Nuk ka mendje më të mbrapshtë, veç ekstremit të majtë që kërton me çdo kusht të kontrollojë drejtësinë me mekanizma antikushtetuese. Prandaj del kreu i SPAK-ut dhe thotë gjykata do vendosë atë që kërkojmë ne. Kjo drejtësi ka krahun e saj politik. Në vit zgjedhor, prokuroria hedh në kosh dosjet e krimit elektoral por nuk ka akt më të rëndë se amnistria e krimit elektoral. Ndërkohë që drejtësia politike arreston tre drejtuesit e partive kryesore opozitare njësoj me Zajedin e Tunizisë. Por ky i fundit nuk i dhunoi, siç veproi Lukashenko i Shqipërisë apo siç veproi me marrjen mandatesh të Fredi Belerit dhe Ervin Salianjit. Kjo prokurori ka penalizuar disa ish-ministra të qeverisë e izh-zyrtarë. Kjo reformë është produkt i ekstremit të majtë duke bllokuar opozitën e duke i garantuar pushtetin qeverisë dhe së majtës. Ata që kanë shpenzuar dhjetëra milionë euro në këtë reformë e kanë të vështirë të pranojnë dështimin. Marrëveshja e fundit e Delina Ficos me Yuri Kimin dhe Institutin East-West Management, militantëve të fondacionit “Qemal Stafa” të PS-së u është besuar plotësisht detyra e këshilltarit ligjor pavarësisht se nuk plotësojnë asnjë kusht ligjot në një kohë kur në shoqërinë tonë ka qindra juristë shumë të mirë, të shkolluar, që i plotësojnë ato kushte. Por duhet të jenë militantët në dhomën e këshillimit. ” – tha Berisha.