Zjarret që kanë përfshirë Korenë e Jugut që nga e premtja e kaluar kanë shkaktuar të paktën 28 viktima, kanë plagosur dhjetëra të tjerë dhe kanë djegur rreth 48,000 hektarë (118,000 akra) pyje, raportoi agjencia lokale e lajmeve Yonhap.
Megjithatë, shikueshmëria më e mirë dhe temperaturat më të ulëta pas reshjeve të shiut gjatë natës së enjten kanë përmirësuar kushtet për shuarjen e flakëve, të cilat u përhapën nga rrethi qendror i Uiseongut deri në rajonet bregdetare për shkak të erërave të forta.
Sipas raportimeve nga Al Jazeera, Jack Barton nga Uiseong deklaroi: “Është ende herët për ta quajtur një pikë kthese, por nga 11 zjarret e mëdha që po digjeshin, pesë janë vënë plotësisht nën kontroll gjatë natës.”
“Ndonëse disa zjarre po vazhdojnë të digjen intensivisht, rezultatet janë të mira në zona si Uiseong, ku flakët janë zvogëluar në vetëm 5 për qind të madhësisë fillestare,” shtoi ai.
Pavarësisht progresit, rreth 38,000 banorë janë detyruar të evakuohen nga zonat e prekura, sipas agjencisë kombëtare të reagimit ndaj katastrofave.
“Kemi në plan të mobilizojmë të gjitha burimet e mundshme për të shuar flakët kryesore deri në fund të ditës,” deklaroi Lim Sang-seop, drejtues i Shërbimit Pyjor të Koresë, për Yonhap.
Zyrtarët kanë bërë të ditur se zjarret janë nxitur nga erërat e thata dhe një thatësirë e zgjatur, një fenomen i zakonshëm gjatë periudhave të thata në Korenë e Jugut.
Në vitet e fundit, rritja e temperaturave mesatare dhe shtimi i fenomeneve ekstreme të motit kanë rritur ndjeshëm rrezikun dhe intensitetin e zjarreve, një situatë që ekspertët e shohin si pasojë të ndryshimeve klimatike.
Sipas Al Jazeera, shumë shtëpi dhe ferma në zonën e Uiseongut janë shkatërruar plotësisht, ndërsa dhjetëra mijëra njerëz mbeten të zhvendosur.
Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut, Han Duck-soo, premtoi se “do të merren të gjitha masat e mundshme” për të ndihmuar banorët e prekur të marrin mbështetje financiare për rindërtimin e shtëpive të tyre. Ai theksoi se fondet për ndihmë duhet të jenë “të pakufizuara.”
Autoritetet lokale kanë njoftuar se do të përpiqen të zhvendosin sa më shpejt banorët nga kampet e përkohshme të emergjencës, por e gjithë kjo pritet të jetë një proces i gjatë.