Tabaku: Industria fason është në krizë nga politikat anti-biznes të qeverisë


Kandidatja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, zhvilloi sot një takim me drejtues dhe punonjës të një fasonerie, ku u diskutuan sfidat që po përballet industria prodhuese në vend, veçanërisht sektori i fasonit, një ndër më të rëndësishmit për eksportet shqiptare.

Industria fason është burim të ardhurash për mbi 70 mijë familje shqiptare. Ajo përfaqëson modelin e punës dhe të eksporteve ‘Made in Albania’, por sot po goditet rëndë nga politikat fiskale të qeverisë socialiste,” deklaroi Tabaku.

Sipas saj, taksat e larta, zhvlerësimi i qëllimshëm i lekut në një ekonomi të paformalizuar dhe me ndikim të lartë të parasë së pistë, po ndikojnë negativisht te rrogat e punëtorëve dhe qëndrueshmëria e biznesit.

“Kemi më shumë taksa për biznesin prodhues dhe më pak të ardhura për qytetarët. Çmimet rriten, rrogat mbeten të ulëta, dhe vendet e punës janë në rrezik. ‘Made in Albania’ po mbytet nga një ekonomi që favorizon ndërtimet pa kriter dhe pastrimin e parave,” u shpreh deputetja e PD.

Tabaku shprehu angazhimin e saj për të qenë zëri i këtyre punëtorëve dhe bizneseve në Kuvend, duke theksuar se modeli që duhet të mbështetet është ai i prodhimit dhe punës së ndershme, jo ai i spekulimit financiar dhe betonizimit të ekonomisë.