Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 goditi Mianmarin qendror të premten pasdite, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS). Epiqendra e tërmetit ishte 16 kilometra në veri-perëndim të qytetit Sagaing dhe u pasua nga një pasgoditje e fortë prej 6.4 ballë vetëm 12 minuta më vonë.
Lëkundjet sizmike u ndjenë deri në kryeqytetin tajlandez, Bangkok, duke shkaktuar panik dhe masa emergjente nga qeveria tajlandeze. Kryeministri i Tajlandës, Paetongtarn Shinawatra, shpalli Bangkokun “zonë emergjente” dhe urdhëroi evakuimin e menjëhershëm të disa zonave të rrezikuara.
Një nga pasojat më të rënda të tërmetit ishte shembja e Urës së Vjetër Sagaing, e cila lidhte rajonet Ava dhe Sagaing në Mianmar.
Pamjet e shpërndara në mediat sociale tregojnë pjesë të urës të rrëzuara në lumin Irrawaddy, duke paralizuar transportin dhe komunikimin midis zonave kryesore të vendit.
Në qytetin Mandalay, kryeqytetin kulturor të Mianmarit, u raportuan ndërprerje të linjave telefonike dhe dëmtime të objekteve historike. Aeroporti i Mandalayt u përfshi nga paniku, me pasagjerë dhe staf që u përkulën në asfalt teksa ndihmësit përpiqeshin të organizonin evakuimin.
Në Bangkok, një ndërtesë shumëkatëshe në ndërtim u shemb si pasojë e lëkundjeve, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e të paktën 50 të tjerëve. Një person mbetet ende i bllokuar nën rrënoja, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për shpëtimin e tij.
Pavarësisht lëkundjeve të forta, Aeroporti Suvarnabhumi në Bangkok vazhdoi operacionet normalisht, duke siguruar udhëtarët se situata ishte nën kontroll.
India shprehu gatishmërinë për të ofruar ndihmë për Mianmarin dhe Tajlandën. Kryeministri Narendra Modi deklaroi në rrjetin X: “I shqetësuar nga situata pas tërmetit në Mianmar dhe Tajlandë. India është e gatshme të ofrojë të gjithë ndihmën e mundshme.”
Ndërkohë, autoritetet në Indi dhe Bangladesh raportuan se nuk kishte dëme të mëdha nga tërmeti, megjithëse lëkundjet u ndjenë edhe në këto vende.
Qeveritë rajonale dhe organizatat humanitare po monitorojnë situatën, duke paralajmëruar për mundësinë e pasgoditjeve të tjera brenda 24 orëve të ardhshme.
Mandalay është kryeqyteti kulturor dhe fetar i Mianmarit, një qytet me rreth një milion banorë, i njohur për manastiret budiste dhe Pallatin Mbretëror, dikur rezidencë e mbretërve të vendit.
Pas tërmetit me magnitudë 7.7 që goditi rajonin fqinj të Sagaing, linjat telefonike në Mandalay u ndërprenë, duke e bërë të vështirë komunikimin me banorët. I ndodhur buzë lumit Irrawaddy, qyteti është një qendër e rëndësishme shpirtërore për shumicën budiste të vendit, si dhe një nyjë kyçe logjistike dhe tregtare.
Mandalay ndodhet në fund të një rruge kryesore tregtare që lidh Mianmarin me Kinën, partnerin e tij më të madh ekonomik. Megjithatë, pas grushtit të shtetit të vitit 2021 dhe konfliktit të vazhdueshëm civil, rruga ka qenë arenë përleshjesh mes rebelëve etnikë dhe forcave ushtarake. Kjo situatë ka dëmtuar rëndë tregtinë dhe i ka shkaktuar qeverisë ushtarake humbje prej qindra milionë dollarësh në të ardhura nga taksat.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e CNN