Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 goditi Mianmarin dhe Tajlandën të premten, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha dhe humbje të shumta njerëzore.
Të paktën 144 persona humbën jetën në Mianmar, ndërsa 10 të tjerë u raportuan të vdekur në kryeqytetin tajlandez, Bangkok.
Tërmeti kishte epiqendrën pranë Mandalajit, qyteti i dytë më i madh i Mianmarit, duke rrëzuar ndërtesa, një urë dhe duke shkaktuar çarje në një digë. Një nga pasgoditjet më të forta arriti magnitudën 6.4, sipas AP.
Udhëheqësi i juntës ushtarake të Mianmarit, Senior Gjeneral Min Aung Hlaing, konfirmoi numrin e viktimave dhe tha se 730 persona janë plagosur. Qeveria ka bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare, ndërsa Kombet e Bashkuara thanë se janë duke mobilizuar mbështetje.
Në kryeqytetin Naypyidaw, ekipet e shpëtimit po nxjerrin të mbijetuarit nga rrënojat e ndërtesave të dëmtuara, ndërsa në Mandalaj është raportuar shembja e manastirit të madh Ma Soe Yane dhe dëmtimi i pallatit të vjetër mbretëror.
Në Bangkok, një ndërtesë 33-katëshe në ndërtim u shemb, duke vrarë 10 persona dhe duke lënë 101 të tjerë të zhdukur. Pamjet filmike treguan njerëzit që vraponin në panik, ndërsa ndërtesa binte në një re pluhuri.
Lëkundjet u ndjenë në të gjithë qytetin dhe detyruan pezullimin e sistemeve të transportit publik. Më shumë se 17 milionë banorë të zonës metropolitane përjetuan tërmetin, që është një fenomen i rrallë për kryeqytetin tajlandez.
Tërmeti u ndje edhe në provincat kineze Yunnan dhe Sichuan, duke shkaktuar dëme dhe plagosje në qytetin kufitar Ruili. Mediat kineze raportuan për rrëzime ndërtesash dhe panik mes banorëve.
Ekspertët paralajmërojnë se mund të duhen javë për të kuptuar shkallën e plotë të dëmeve dhe nevojave humanitare, veçanërisht në Mianmar, ku situata është e ndërlikuar nga konflikti i vazhdueshëm civil.