Nënpresidenti amerikan JD Vance, bashkëshortja e tij dhe zyrtarë të lartë amerikanë do të vizitojnë të premten një bazë ushtarake amerikane në Groenlandë, në një udhëtim të shkurtuar pas një polemike të ashpër mes banorëve grenlandezë dhe danezëve, të cilët u zemëruan nga fakti se vizita fillimisht ishte planifikuar pa konsultim me ta.
Vizita në territorin gjysmë-autonom të Danimarkës vjen në një moment të tensionuar mes SHBA-së dhe vendit nordik, pas deklaratave të përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë kontroll mbi këtë rajon të pasur me minerale.
Vizita njëditore në bazën e Forcave Hapësinore të SHBA-së në Pituffik, në bregun veriperëndimor të Grenlandës, shmangu rrezikun e një shkeljeje të praktikave diplomatike duke dërguar një delegacion amerikan pa një ftesë zyrtare.
Gjithashtu, reduktimi i itinerarit zvogëlon mundësinë që Vance dhe bashkëshortja e tij të përballen me banorë të zemëruar nga deklaratat e Trump-it.
Sipas zyrës së nënpresidentit, Vance pritet të marrë informacione mbi aktivitetet e bazës dhe të mbajë një fjalim para ushtarakëve amerikanë të dislokuar aty, përcjell AP.
Në delegacionin e tij përfshihen këshilltari i sigurisë kombëtare Mike Waltz dhe Sekretari i Energjisë Chris Wright, si dhe bashkëshortja e tij, Usha Vance.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, i cili foli në mënyrë anonime, tha se Vance do të kritikojë liderët danezë për trajtimin e keq të popullsisë grenlandeze dhe për lënien pas dore të infrastrukturës në ishull.
Ai pritet të theksojë gjithashtu rëndësinë e forcimit të sigurisë në Arktik, përfshirë praninë ushtarake amerikane në Pituffik.
Përpara mbërritjes së Vance-it, katër nga pesë partitë e zgjedhura në parlamentin e Grenlandës këtë muaj nënshkruan një marrëveshje për të krijuar një qeveri të gjerë koalicioni, si një përgjigje ndaj synimeve të Trump-it për territorin.
“Kjo është një kohë kur ne, si popull, jemi nën presion,” tha kryeministri i sapoemëruar, Jens-Frederik Nielsen, duke bërë thirrje për unitet mes grenlandezëve.
Ndërkohë, kryeministrja daneze Mette Frederiksen e përshëndeti qeverinë e re të Grenlandës dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në një kohë të tensionuar.
Frederiksen kishte deklaruar më herët se vizita fillimisht e planifikuar për tre ditë krijoi një “presion të papranueshëm”.
Ajo theksoi se Danimarka dëshiron të bashkëpunojë me SHBA-në në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, por Grenlanda “u përket grenlandezëve”.
Megjithatë, pavarësisht reduktimit të vizitës së Vance-it, presidenti Trump e përsëriti të mërkurën dëshirën e tij për të vendosur SHBA-në në kontroll të Grenlandës.
I pyetur nëse banorët e ishullit janë “të etur” për t’u bërë shtetas amerikanë, Trump tha se nuk e dinte, por shtoi se “ne duhet ta bëjmë dhe duhet t’i bindim ata”.
Disa banorë të Nuuk-ut, kryeqyteti i Grenlandës, shprehën shqetësim për vizitën e Vance-it dhe interesin e SHBA-së për ishullin e tyre.
“Vance është i mirëpritur nëse dëshiron ta shohë vendin, por natyrisht, Grenlanda nuk është në shitje,” tha Cora Høy, 22 vjeç. “Më duket sikur çdo ditë flitet vetëm për (Trump-in), dhe dua thjesht të largohem nga kjo situatë.”