Alibeaj tërheq familjarët nga listat e mbyllura të koalicionit, Shehi: Garojmë me lista të hapura


Koalicioni “Djathtas për Zhvillim” ka tërhequr kandidatët familjarë nga listat e deputetëve të dorëzuara në KQZ.

Në një deklaratë zyrtare, koalicioni njofton se është përgatitur dokumentacioni i duhur për tërheqjen e tyre nga listat e mbyllura dhe se do garojë në zgjedhjet e 11 majit më lista të hapura.

Në deklaratën e parë zyrtare si koalicion, Dashamir Shehi dhe Enkelejd Alibeaj thanë se në listat e hapura nuk ka asnjë kandidat me probleme, gjë që sipas tyre tregon seriozitetin e koalicionit dhe të respektit të votës së qytetarëve.

“Koalicioni “Djathtas për Zhvillim” ka përfunduar me sukses paraqitjen e listave të kandidatëve për deputet. Gjatë kontrollit të listave, koalicioni jonë doli që nuk ka asnjë njeri të implikuar me veprimtari të paligjshme gjë që tregon korrektesën e listës sonë dhe seriozitetin me të cilin jemi angazhuar në luftën ndaj korrupsionit. Koalicioni ka bërë dokumentacionin e nevojshëm për tërheqjen e kandidatëve për listat e mbyllura. Nga sot e tutje, nga java që vjen, qytetarët e Shqipërisë duhet ta dinë që ne garojmë me lista të hapura.

Të ashtuquajturit familjarë për të cilët u bë kaq zhurmë nga propaganda e dy partive të mëdha, që janë me lista të mbyllura, nuk janë më. Do t’i kërkonim opinionit publik dhe mediave që të zbulojnë familjarët dhe lidhjet me të cilët i kanë mbushur listëmbyllurit. Koalicioni ka në listat e veta mbi 10 për qind të kandidatëve nga diaspora. Shenjë kjo që ne i kemi respektuar angazhimin e diasporës për të qenë pjesëtarë aktiv në jetën politike dhe për t’u përfaqësuar me njerëzit e vet.” – tha në deklaratën e lexuar për publikun e media, Shehi.

Pak ditë më parë u zbulua se një nga anëtarët e koalicionit, Enkelejd Alibeaj, kishtë futur në listat e mbyllura disa familjarë të afërt të tij, gjë për të cilën tha se ishte një truk i detyruar nga ligji i keq zgjedhore dhe njoftoi se ata do tërhiqeshin shumë shpejt.