Denoncoi pajisjet nga Izraeli për bllokimin e TikTok, Semanaj: S’u shqetësuan as media, as opozita, i hapet rruga përgjimit masiv


Pas denoncimit të para dy ditëve lidhur me pajisjet e përdorura për bllokimin e TikTok-ut në vend, eksperti i IT Besmir Semanaj shkruan sot se dyshimet e konfirmuara për instalimin e pajisjeve në fjalë nu kanë shqetësuar as institucionet, as mediat dhe as opozitën.

Sipas tij, çelja e derës për përgjime masive nuk përbën fare lajm ndërsa thekson se tanimë shpresa e vetme mbeten institucionet e drejtësisë.

Semanaj nënvizon se pajisjet e instaluara ofron mbikëqyrje në kohë reale të trafikut të enkriptuar në nivelin 7, zbatim politikash dhe charging dhe këto janë vetëm veçoritë që tregohen për publikun dhe tregun, bdërsa bën thjirrje për transparencë.

“Dyshimet e konfirmuara për instalimin e pajisjeve DPI pranë një pjese të ISP-ve, duket se nuk kanë shqetësuar as institucionet, as median dhe as opozitën. Në Shqipëri, hapja e derës për përgjime në masë dhe mundësinë për censurë nuk përbën më lajm. Shpresa e vetme mbeten institucionet e drejtësisë.

Kanë kaluar disa ditë që po pres që institucionet përkatëse të më përgënjeshtrojnë, që të kërkoj ndjesë dhe të shpresoj se informacioni i marrë nga kolegët nuk është i vërtetë. Por kur të vijnë foto, dokumente, modele pajisjesh dhe kupton se gjithçka është reale, nuk të mbetet tjetër veçse të lutesh për bashkëkombasit e tu. Pajisja ofron edhe këtë: monitorim në kohë reale të trafikut të enkriptuar në nivelin 7 (Layer-7), zbatim politikash dhe charging. Mos harroni, këto janë vetëm veçoritë komerciale dhe publike. E vetmja gjë që kërkoj është transparenca dhe një bazë ligjore e qartë që garanton mbrojtjen e qytetarëve.” – shkruan Semanaj.

Dy ditë më parë, Semanaj denoncoi se pajisjet për mbylljen e TikTok-ut kanë ardhur nga Izraeli ndërsa është e paqartë se kush ka paguar për to. Eksperti i IT sqaroi se ato ofrojnë mbikëqyrje në kohë reale të trafikut në internet.