Franca e Britania për dërgimin e trupave në Ukrainë: S’kemi unanimitet në BE po nuk na duhet


Franca dhe Britania do shtyjnë për vendosjen e një kontigjenti ushtarak në Ukrainë, tha presidenti Macron. Një plan i Parisit dhe Londrës për të dërguar trupa në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë është hedhur poshtë tashmë nga disa anëtarë të BE-së.

Duke folur pas një samiti në Paris të enjten, Macron njoftoi se i ashtuquajturi “koalicion i të gatshëmve” do kërkojë të vendosë një “forcë sigurie” në Ukrainë pasi të arrihet një marrëveshje paqeje me Rusinë. Udhëheqësi francez pranoi se propozimi nuk arriti të fitonte mbështetje të plotë, megjithatë, një delegacion franko-britanik do vizitonte Kievin për të diskutuar planin gjithsesi.

 “Nuk ka unanimitet, por ne nuk kemi nevojë për unanimitet për ta bërë këtë”, tha Macron, shkruan RT.

Krijimi i një force të tillë do kërkonte miratim të shteteve anëtare të BE-së dhe do funksiononte nën një mandat ndërkombëtar, siç është OKB-ja.

Italia, Gjermania dhe Hungaria thuhet se folën kundër planit paqeruajtës anglo-francez, duke përmendur shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm dhe implikime financiare.

SHBA kohët e fundit ndërmjetësoi një armëpushim të kufizuar midis Ukrainës dhe Rusisë, duke vendosur një moratorium për sulmet ndaj infrastrukturës energjetike. Moska e Kievi kanë akuzuar njëri-tjetrin në mënyrë të ndërsjellë për shkelje të vijueshme të kushteve të armëpushimit dhe sulmuar objekte të lidhura me energjinë në Rusi.