Kryeministri Rama premtoi sot se gjatë mandatit të katërt 90% e territorit të vendit do ketë furnizim 24 orë me ujë.
Gjatë monologut teksa prezantoi programin qeverisës për katër vitet e ardhshme në rast fitoreje të zgjedhjeve, kreu i qeverisë ceku fusha të ndryshme nga infrastruktura e turizmi, te rrogat e pensionet.
Vijmë tek uji, sepse edhe te uji kemi për të treguar faktet. Faktet që nuk dalin në televizor, faktet që nuk dalin në portale, faktet që mbulohen çdo ditë nga llumi i kënetës, nga moçalishtet, nga të gjithë insektet që jetojnë mbi ujin e kënetës dhe pastaj shkojnë edhe parkojnë nëpër ato, nëpër ato kashtoret e studiove televizive. Kur ne morëm detyrën, furnizimi me ujë 24 orë ishte vetëm në 4 zona urbane, asnjë zonë rurale. 2024 ne e kemi mbyllur me 43 zona urbane dhe me 98 zona rurale, që furnizohen 24h rregullisht dhe deri në fund të mandatit të katërt, kemi këtë situatë për të adresuar: 16 zona urbane të mbetura, nga të cilat 11 janë në kantier sot që flasim dhe 37 zona rurale, që do të thotë një mbulim i përgjithshëm 90% i perimetrit të Republikës 24 orë, ndërkohë që ai 10% janë pika shumë të largëta nëpër male, që është e pamundur dhe që ekzistojnë edhe në vende të tjera.”– tha Rama.
Kryeministri Rama mbrojti sot projektin e Portit të ri të Durrësit, duke sulmuar opozitën lidhur me akuzat që kjo e fundit ka bërë ndaj ministres së Infrastrukturës Balluku. Në monologun e prezantimit të programit, ai tha se projekti do ketë edhe krahun ushtarak duke shërbyer si bazë e NATO-s.
“Këneta thotë që ne kemi bërë krimin e madh të ndërhyrjes dhe të heqjes së portit më të vjetër në botë nga qendra e qytetit. Vetëm një mendje komplet e mbyllur, për të mos thënë e trashë, një mëndje që jeton në një qytetërim tjetër dhe ashtu jeton, mund të thotë që një port tregtar duhet të rrijë mes qytetit. Nëse ka mundësi që ai të spostohet nga mesi i qytetit dhe porti i Durrësit, që ishte në mes të qytetit do duhej spostuar dhe sikur aty të mos bëjë asgjë, thjesht do duhej marrë, ngritur peshë dhe çuar jashtë qytetit sepse ishte një qendër kanceroze, përveçse një pseudo-portë pa asnjë kusht për t’u bërë një portë për Shqipërinë 2030.” – tha Rama.
Ai premtoi më tej se vendi do bëhet sovran për sa i përket prodhimit të energjisë përmes zgjerimit të burimeve, duke u varur më pak nga importet.
“Vijmë tek gropa më e madhe ku ne e gjetëm Shqipërinë në 2013, energjia. 50% për qind e prodhimit që transmetohej në rrjet, humbiste, vidhej. Sot jemi në normat pak a shumë të mesatares europiane dhe ajo që është më e rëndësishmja që duhet ta dinë të gjithë, për herë të parë, për herë të parë, qysh se ne kemi marrë detyrën, një qeveri e Shqipërisë ka rritur prodhimin, pra ka rritur burimet dhe ka rritur kapacitetet prodhuese të Shqipërisë. Nga një anë, burimet sot nuk janë vetëm hidrike, siç ishin. 10% e prodhimit sotëm të Republikës së Shqipërisë është fotovoltaik, në 2030, duke shkuar 30% dhe në mandatin e katërt, ne do të marrim përfundimisht, përfundimisht, pozicionin e një vendi sovran në energji, nuk do kemi më nevojë të importojmë energji nga askush, përkundrazi, jo vetëm do të kemi për vete, por do të mund t’ju eksportojmë të tjerëve.” – shtoi Rama.
Ai premtoi më tej rritje të turizmit, të pensioneve e të pagave.
“Për turizmin kemi shumë për të folur. Kemi shumë për të folur në çdo qark. Por atyre që ishin mësuar të mburreshin me 1 milionë turistë, ku turistë më llogarisnin dhe mua dhe ju sa herë hynim me dilnim, ndërkohë që ne turistë llogarisim vetëm ata që kanë pasaportë tjetër, jo pasaportë shqiptare, u duhet përplasur pasqyra e jashtëzakonshme e këtij transformimi. E jashtëzakonshme. Është rritur dhjetëfish. Dhjetëfish. Shqipëria turistike është bërë trend evropian. 12 milionë turistë në 2024.”