Miliarderi Elon Musk ka shitur rrjetin social X (ish-Twitter) tek kompania e tij e inteligjencës artificiale, xAI, në një marrëveshje me vlerë 33 miliardë dollarë. Lajmi u bë i ditur nga vetë Musk përmes një postimi në X të premten.
Të dyja kompanitë mbeten private, ndaj nuk kanë detyrim të zbulojnë të dhënat financiare. Sipas Musk, ky bashkim synon të kombinojë fuqinë e inteligjencës artificiale të xAI me shtrirjen globale të X, duke “zhbllokuar një potencial të jashtëzakonshëm”. Ai theksoi se marrëveshja vlerëson xAI në 80 miliardë dollarë dhe X në 33 miliardë dollarë.
Musk, i cili drejton gjithashtu Tesla dhe SpaceX, bleu Twitter-in për 44 miliardë dollarë në vitin 2022, duke ndërmarrë ndryshime të thella në menaxhimin e tij, përfshirë shkrirjen e stafit dhe rregulloret mbi gjuhën e urrejtjes, dezinformimin dhe verifikimin e përdoruesve. Një vit më vonë, ai krijoi kompaninë xAI, e cila ka zhvilluar chatbot-in e saj të inteligjencës artificiale, Grok.
Musk njoftoi se tashmë xAI dhe X do të bashkojnë burimet e tyre në të dhëna, modele, llogaritje dhe shpërndarje, për të krijuar një platformë më të avancuar teknologjikisht. Nuk është e qartë nëse kjo lëvizje do të sjellë ndryshime të mëdha për përdoruesit, por aktualisht xAI tashmë përdor të dhëna nga postimet në X për të trajnuar modelet e saj të AI, ndërsa përdoruesit me pagesë të X kanë akses në Grok./AP