Papa Françesku mesazh për Fronëzimin e Joan Pelushit si Kryepeshkop i Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë


Papa Françesku ka dërguar një mesazh me rastin e Fronëzimit të Fortlumturisë së Tij Joan Pelushit si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.

“Në këto kohë të vështira të shënuara nga lufta dhe dhuna, është edhe më urgjente që të krishterët të japin një dëshmi të besueshme të unitetit, në mënyrë që bota të mund të përqafojë plotësisht mesazhin ungjillor të solidaritetit vëllazëror dhe të paqes”, thuhet në mesazh.

Mesazhi përfundon me shpresën se nën drejtimin e kryepeshkopit Joan marrëdhëniet midis Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Kishës Katolike do të rriten më tej, duke kërkuar forma të reja bashkëpunimi të frytshëm në shpalljen e Ungjillit, në shërbim të atyre që kanë më shumë nevojë dhe duke ripërtërirë angazhimin tonë për zgjidhjen e çështjeve që ende na ndajnë përmes dialogut të dashurisë dhe së vërtetës.